Kombëtarja shqiptare e vajzave zhvilloi pasditen e sotme ndeshjen e kthimit ndaj Uellsit, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2027. Në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Groma u mposht minimalisht 0-1, pas një paraqitjeje pozitive dhe plot angazhim.

Formacioni titullar ishte: Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Alma Hilaj, Arbiona Bajraktari, Armera Tukaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Mikaela Metalla, Fortesa Berisha dhe kapitenia Megi Doçi.

Vajzat kuqezi zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, duke krijuar raste të rrezikshme që në minutat e para me Doçin dhe Berishën, por pa arritur të konkretizojnë. Pavarësisht paraqitjes së mirë, Uellsi gjeti avantazhin në minutën e 25-të, duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 0-1.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare rriti ritmin dhe dominoi lojën, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në kërkim të golit të barazimit. Rasti më i pastër erdhi në minutën e 57, kur Ilarja Zarka, pas një aksioni individual, goditi traversën, duke i mohuar skuadrës një gol të merituar.

Pavarësisht përpjekjeve dhe lojës bindëse, Shqipëria nuk arriti të ndryshojë rezultatin, me takimin që u mbyll 0-1 në favor të Uellsit.

Kombëtarja e vajzave do të rikthehet në fushë në muajin qershor, ku do të luajë dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve ndaj Çekisë në transfertë dhe Malit të Zi në shtëpi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb