Një incident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në rrugën Argyll Street, ku një automjet ka përplasur disa këmbësorë, duke lënë një grua në gjendje kritike. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30, pranë zonës së njohur për jetën e natës dhe afër ambienteve të London Palladium dhe klubit të natës Inca London.
Sipas dëshmive dhe pamjeve që po qarkullojnë në rrjet, një makinë është përplasur me një grup këmbësorësh, duke shkaktuar panik në zonë. Një grua që u rrëzua dhe mbeti e bllokuar nën automjet, ndërsa kalimtarët përpiqen ta ndihmojnë. Një burrë tjetër është gjithashtu lënduar gjatë incidentit, ndërsa një grua tjetër ka marrë lëndime më të lehta. Viktima kryesore, një grua rreth të 30-ave, është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.
Policia Metropolitane e Londrës ka konfirmuar arrestimin e një 29-vjeçareje në vendngjarje, e dyshuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë tentativë vrasjeje, drejtim të rrezikshëm dhe drejtim nën efektin e alkoolit. Ajo ndodhet aktualisht në paraburgim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ngjarja nuk po trajtohet si e lidhur me terrorizëm, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit. Policia i ka bërë thirrje dëshmitarëve që të paraqesin çdo informacion, duke theksuar se edhe detajet më të vogla mund të jenë të rëndësishme për hetimin.
