Një trend i ri i njohur si “soft girl” po fiton popullaritet mes grave të reja në disa vende të Evropa Veriore, duke nxitur debat mbi balancën mes karrierës dhe jetës personale.
Fenomeni përfshin gra që zgjedhin të tërhiqen nga tregu i punës me kohë të plotë dhe të fokusohen në një stil jetese më të qetë, shpesh të mbështetura financiarisht nga partnerët e tyre. Në rrjetet sociale, trendi shoqërohet me etiketa si “hemmaflickvän” dhe “hemmafru”, që në suedisht i referohen jetës në shtëpi.
Një nga rastet e përmendura është ajo e 25-vjeçares Vilma Larsson, e cila ka lënë disa punë të mëparshme dhe thotë se ka zgjedhur jetën si shtëpiake, duke e përshkruar si më pak stresuese dhe më të qetë. Ajo ndan stilin e saj të jetesës edhe në rrjete sociale, ku ka mbledhur mijëra ndjekës.
Sipas të dhënave nga anketa Ungdomsbarometern, një pjesë e të rinjve suedezë shprehin simpati për këtë stil jetese, veçanërisht grupmoshat më të reja, megjithëse ekspertët theksojnë se përqindja e atyre që e ndjekin realisht është ende e ulët.
Trendi ka ndezur diskutime të forta në Suedi. Kritikët, përfshirë figura të lëvizjes feministe si Gudrun Schyman, e kanë quajtur këtë fenomen një hap prapa për barazinë gjinore dhe pavarësinë ekonomike të grave.
Nga ana tjetër, përfaqësues të rinisë në Sweden Democrats kanë mbrojtur zgjedhjen personale, duke theksuar se çdo individ duhet të ketë lirinë të vendosë mënyrën e tij të jetesës.
Ekspertët e shohin këtë trend edhe si një reagim ndaj stresit të lartë dhe presionit të suksesit në shoqëritë moderne, duke e lidhur me tendenca më të gjera si “dorëheqja e qetë” në tregun e punës.
