Surprizë e madhe në Ligue 1 rezervoi e diela në mbrëmje, aty ku Lioni hap sërish garën për titull. Skuadra e drejtuar nga Paulo Fonseca triumfon 2-0 në transfertë ndaj PSG-së, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 30-të, duke tronditur kreun e renditjes.
Pas fitores së Lensit vetëm pak ditë më parë, ky sukses i Lionit ndryshon plotësisht skenarin e kampionatit, që deri para pak javësh dukej i mbyllur.
Gjithçka u vendos që në pjesën e parë, ku Endrick dhe Moreira shënuan dy golat që i dhanë avantazhin vendimtar miqve. Goli i shënuar në fund nga Kvara nuk mjaftoi për PSG-në, që largohet pa pikë nga kjo përballje.
Pas kësaj humbjeje, skuadra e Luis Enrique mbetet vetëm një pikë përpara Lensit, me përballjen direkte ende për t’u luajtur. Megjithatë, parisienët kanë një ndeshje më pak dhe një diferencë golash më të favorshme.
Ndërkohë, Lioni konfirmon momentin e shkëlqyer. Nga një skuadër në krizë, tashmë është kthyer në një pretendent serioz, duke rifituar besimin dhe vazhdimësinë në rezultate.
Protagonisti kryesor i kësaj ringritjeje është Endrick. Talenti brazilian po bën diferencën me golat dhe paraqitjet e tij, duke u kthyer në pikë referimi për sulmin dhe duke ndryshuar edhe atmosferën në ekip. Meritë e madhe shkon edhe për trajnerin Paulo Fonseca, i cili ka ditur të menaxhojë momentin e vështirë dhe të motivojë grupin, duke ndërtuar një skuadër më të fortë dhe konkurruese.
