Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te protesta e fundit kombëtare e Partisë Demokratike, si dhe te situata e brendshme në këtë forcë politike dhe në Partinë Socialiste.

Duke analizuar protestën, Mërtiri u shpreh kritik ndaj mënyrës së sjelljes së opozitës: “Opozita është në kompleks të thellë inferioriteti, është e tmerrshme të shohësh deputetë që sillen si gangsterë në shesh. Nuk është deputeti për t’u përballur me shkopinjtë e gomës së policëve. Nëse u prin njerëzve në protestë nuk bëhet për t’u prirë përballë policëve. Opozita kërkon të tregojë muskuj në shesh se nuk ka muskuj politikë. Këto të fundit kanë të bëjnë me besueshmërinë në publik, të cilin kjo opozitë nuk e ka.”

Ai u ndal edhe te lidershipi i opozitës, duke theksuar se me Sali Berishën, PD nuk mund të vijë në pushtet: “Me Berishën PD nuk vjen dot në pushtet. E keqja kryesore është se PD merr aq vota sa të mos lejojë të vijë diçka e re dhe ndërkohë nuk e përmbys dot Ramën. Do ishte më mirë nëse PD do të tërhiqej fare, por ajo ka mision vrasjen e të resë dhe mbajtjen e Ramës.”

Në analizën e tij, Mërtiri komentoi edhe situatën e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili ka shprehur ambicien për të garuar për kryetar të PD-së: “Salianji mendoj se është e vetmja gjë pozitive mes dy partive të mëdha, siç mendoj se janë pozitive edhe rebelimet në PS. Këto po thyejnë ose po krijojnë precedentin e daljeve kundër liderëve autoritarë si Rama dhe Berisha.”

Sipas tij, mundësia që Salianji të lejohet të garojë mbetet e vogël: “Me shumë gjasa Salianji nuk do lejohet të garojë sepse do krijojë një fraksion brenda duke hyrë. Kjo e tremb Berishën. Në momentin që krijohet një fraksion brenda PD do e shkatërrojë Berishën sepse ai nuk i mbijeton dot mendimit ndryshe në parti.”

Mërtiri shtoi më tej: “Berisha është në luftë me arsyen dhe logjikën. Duke u artikuluar e arsyeshmja në parti ajo do zgjerohet dhe në mos e fitoftë Salianji do e fitojë dikush tjetër atë. Salianji do krijojë energjizim të gjithë njerëzve të pakënaqur në PD që janë shumicë dhe Berisha e di mirë këtë dhe kërkon t’ia mbyllë gojën që në fillim.”

Analisti u ndal edhe te zhvillimet në kampin socialist, duke përmendur kritikat e shprehura nga ish-ministrja Elisa Spiropali dhe ambicien e deputetit Erion Braçe për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke i konsideruar këto si sinjale të para të “rebelimeve” brenda mazhorancës.

“Janë pozitive edhe rebelimet në PS. Këto po thyejnë ose po krijojnë precedentin e daljeve kundër liderëve autoritarë si Rama dhe Berisha”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb