Ka nisur në Tiranë Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Studentëve, një ngjarje që synon të afrojë studentët me botën e filmit duke krijuar dialog, zhvillim talentesh dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi. Enxhi Arapi, menaxhere projekti, tha se “Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Studentë në Tiranë (ISFFT) është konceptuar si një platformë akademike dhe profesionale që synon të lidhë arsimin e lartë artistik me industrinë e filmit, duke krijuar një hapësirë të strukturuar për dialog rajonal dhe evropian. Festivali është parashikuar si një pikë takimi për studentë, akademikë dhe profesionistë të industrisë, me fokus në nxitjen e talenteve të reja dhe ndërtimin e urave konkrete të bashkëpunimit”.

Deri më 24 prill, studentët, do të ndjekin programe edukimi e trajnimi nga emra të njohur të kinemasë shqiptare por kumbara i këtij viti, është Skenaristi Umberto Contarello, i njohur për bashkëpunimet me Paolo Sorrentinon në “Grande Belleza” apo “Il Divo”. Për Neës24 ai tha këshillën kryesore për të rinjtë.

“Keshilla ime më e madhe për studentët: mos mendoni se nis të bëhet një film dhe të shkruhet një skenar, kur të jenë paratë. Filmi nis të bëhet para se të gjenden paratë. Paratë vijnë kur puna ka nisur, në të kundërt, kush do që në fillim të gjejë paratë që më pas të nisë filmin, nuk është bindës. Ai që do ta bëjë, e bën duke e nisur atë dhe nisja bëhet edhe pa pasur para.”, tha skenaristi Umberto Contarello.

Ndërsa suksesi duket larg dhe shumëçka e pamundur, Contarello na mëson se gjithë çfarë na duhet është brenda nesh. Puna ka të bëjë me kërkimin personal.

“Nga përvoja kam mësuar se të gjithë filmat që kam shkruar, I kam shkruar duke vjedhur nga ajo që kam përjetuar. Në fund të fundit, të bësh një film, është të hysh në bankën e vetvetes e të vjedhësh kasafortën që ke brenda. Pjesa tjetër është false.”, tha Skenaristi Umberto Contarello:

Festivali Ndërkombëtar I Filmit të Studentëve realizohet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Në fjalët e mbajtura drejtuesit vunë në dukje rrugën e vështirë për të ardhur deri këtu ndërsa filmi i parë që u shfaq ishte ai i Erenik Beqirit, që e ka nisur rrugën e tij të artit në Universitetin e Arteve dhe sot njeh suksese ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: