Departamenti i Garave në FSHF ka zyrtarizuar kalendarin e fazës “Final 4” për kampionatin e vajzave, fazë që do të përcaktojë skuadrën kampione për edicionin 2025/2026.

Sipas rregullores, katër ekipet e renditura në vendet e para në përfundim të sezonit të rregullt do të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë fazë finale.

Ndeshjet e “Final 4” do të zhvillohen në periudhën 17–29 maj. Takimet e para gjysmëfinale janë planifikuar më 17 maj dhe do të luhen në fushat e skuadrave të renditura më poshtë në klasifikim, ndërsa sfidat e kthimit do të zhvillohen më 23 maj.

Ndeshja finale për vendin e tretë dhe të katërt do të luhet më 28 maj, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion është programuar më 29 maj, në ora 17:00. Të dyja finalet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, duke kulmuar sezonin me një event të rëndësishëm për futbollin e vajzave.

Shorti për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.

Si funksionon “Final 4”

Në fazën “Final 4” marrin pjesë katër skuadrat më të mira të sezonit të rregullt. Ekipet ndahen në dy vazo: vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë) dhe vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt). Përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Në rast barazimi të pikëve pas dy ndeshjeve, kualifikohet skuadra e renditur më mirë në klasifikimin e sezonit të rregullt.

Skuadrat fituese të gjysmëfinaleve përballen në finalen për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse luajnë për vendin e tretë, duke përmbyllur kështu një sezon konkurrues dhe në rritje për futbollin e vajzave në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: