Kisha e Shën Gjergjit që mban emrin e shenjtit në qytetin e Durrësit, mbajti sot një kremtim madhështor panagjirik në nderim të dëshmorit të madh të Kishës.

Shërbesat e Shenjta u drejtuan nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij imzot Joani, i cili kremtoi këtë festë të rëndësishme në një nga kishat që mban emrin e shenjtorit.

Ai u shoqërua nga një sërë klerikësh, mes tyre arkimandrit Ignati, protopresviteri At Spiro Topanxha, At Aleks Ndoni, kryedhjakon Johani dhe dhjakon Aleksandri, si edhe nga klerikët e qytetit të Durrësit, të kryesuar nga At Gjerasimi.

Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan theksoi rëndësinë e figurës së Shën Gjergjit, duke e cilësuar atë si një dëshmi të gjallë të besimit të krishterë. Ai kujtoi se shenjti lindi në Kapadoki dhe u rrit nga prindër të devotshëm, ndërsa i ati i tij dha jetën si martir. Më pas, nëna e tij e mori në Palestinë, ku ai vazhdoi jetën dhe formimin e tij.

Duke ndjekur një karrierë ushtarake, Shën Gjergji arriti deri në gradat më të larta të ushtrisë romake. Por në një moment vendimtar, përballë persekutimit të egër të të krishterëve nga perandori Dioklician, ai zgjodhi të dëshmonte hapur besimin e tij. Në një akt guximi të jashtëzakonshëm, ai doli përpara perandorit dhe kundërshtoi dhunën ndaj të pafajshmëve, duke shpallur besimin e tij në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kryepiskopi Joan nënvizoi se jeta e shenjtorëve nuk duhet parë thjesht si histori apo biografi, por si një burim i gjallë frymëzimi shpirtëror. Ai e krahasoi leximin e jetëve të tyre me një ushqim shpirtëror, që ndihmon besimtarët të afrohen më shumë me Perëndinë dhe të ndriçojnë jetën e tyre.

“Jetët e shenjtorëve janë vazhdimi i akteve të apostujve,” u shpreh ai, duke theksuar se përmes tyre besimtarët mund të gjejnë modele konkrete për jetën e tyre të përditshme. Sipas tij, mungesa e thellësisë shpirtërore në jetën moderne shpesh çon në një besim sipërfaqësor, të kufizuar vetëm në raste festash, pa një përjetim të vërtetë të jetës në Krisht.

Në vijim, Kryepiskopi u ndal edhe te realiteti bashkëkohor, duke kritikuar prirjen e shoqërisë drejt materializmit. Ai theksoi se suksesi i vërtetë nuk matet me pasuri apo pushtet, por me shpëtimin e shpirtit.

“Çfarë do të japë njeriu në këmbim të shpirtit të tij?” – u shpreh ai, duke rikujtuar se çdo gjë materiale është e përkohshme, ndërsa lidhja me Perëndinë është e përjetshme.

Ai nënvizoi gjithashtu se jeta e Shën Gjergjit nuk ishte një tragjedi, por një fitore, sepse ishte e mbështetur mbi besimin në Ngjalljen e Krishtit. Sipas tij, kjo është fitorja më e madhe, ndërsa të gjitha fitoret e tjera janë të përkohshme dhe të paplota.

Në përfundim, Kryepiskopi bëri thirrje që besimtarët jo vetëm ta kujtojnë Shën Gjergjin, por edhe të përpiqen të jetojnë sipas shembullit të tij, duke e shprehur besimin përmes veprave dhe ndriçimit shpirtëror.

Në mbyllje të shërbesës, At Gjerasim falënderoi Kryepiskopin për praninë dhe drejtimin e Liturgjisë Hyjnore, si edhe të gjithë klerikët dhe besimtarët e pranishëm. Në këtë kremtim morën pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve vendore, mes tyre Kryetarja e Bashkisë Znj. Emirjana Sako, Prefekti i Durrësit Z. Ardian Gurra dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb