Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar çështjen si një nga më të ndjekurat në vend. Sipas saj, Meta ka paralajmëruar përmes rrjetit social Facebook se do të nisë një betejë ligjore për të kundërshtuar atë që ai e konsideron një “aktakuzë politike”.  Lala theksoi se që prej 21 tetorit 2024, Meta nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka dhënë asnjë intervistë, ndërsa imazhi i fundit i tij mbetet momenti i arrestimit.

Gazetarja kritikoi mënyrën se si është kryer arrestimi, duke e cilësuar jo korrekt, ndërsa shtoi se tashmë ish-presidenti do të përballet me drejtësinë përpara një trupe gjykuese.
Meta, sipas Lalës, i mohon të gjitha akuzat për pastrim parash dhe pritet që për herë të parë të ketë një përballje direkte me prokurorët në sallën e gjyqit, në prani edhe të mediave, ku do të përcjellë mesazhet e tij publike.

Një element tjetër i rëndësishëm i kësaj çështjeje është edhe përballja me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, me të cilën u divorcua gjatë kulmit të hetimeve nga SPAK.
Lala bëri me dije se çështja “Meta–Kryemadhi” ka kaluar filtrin paraprak dhe se ish-presidenti pritet të paraqesë kërkesa paraprake në gjykatë.

“Zoti Meta ka paralajmëruar në rrjetin e tij social ‘Facebook’ se do të nisë betejën ligjore, për të çmontuar atë që e konsideron aktakuzë politike. Fakti që zoti Meta nga 21 tetori i 2024-ës, nuk është shfaqur në publik, nuk është lejuar që të ketë asnjë intervistë, procesi pritet me një interes të jashtëzakonshëm. Imazhi i fundit nga ai ishte momenti i arrestimit. Unë e kam kritikuar atë formë arrestimi. Nuk ishte korrekt momenti i arrestimit. Ai do të presë në gjykatë përballë një treshe gjykuese. Zoti Meta I mohon të gjitha pretendimet për pastrim parash. Fakti që do të kemi për herë të parë një përballje të zotit Meta me prokurorët, do të ketë dhe gazetarët në sallë për të adresuar mesazhet e tij. Po ashtu ai do të jetë përballë dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Në mes të kulmit të hetimeve nga SPAK, pati dhe një divorc mes tyre. Është çështje që do të ketë interes të jashtëzakonshëm. Çështja Meta-Kryemadhi ka kaluar filtrin paraprak. Zoti Meta do të bëjë kërkesë paraprake. Gjykata e Lartë të enjten pati një vendim për masën e sigurisë së Metës. Fakti që u prish vendimi i Gjykatës së Apelit do parë një dritë e re. Zoti Meta pretendon se nuk ka asnjë arsye që të qëndrojë në paraburgim. Por GJKKO nuk e pranon këtë argument. Këtë e zgjidhin gjykatat më të larta.”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: