Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka reaguar pas të shtënave me armë zjarri gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në hotelin Washington Hilton, duke u shprehur i tronditur nga ngjarja, ku pjesëmarrës ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Në një postim në rrjetet sociale, Starmer thekson se çdo sulm ndaj institucioneve demokratike dhe lirisë së shtypit duhet të dënohet ashpër.
“Jam i tronditur nga skenat në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington gjatë natës. Çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose ndaj lirisë së shtypit duhet të dënohet me termat më të ashpra të mundshme. Është një lehtësim i madh që Presidenti, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt”, u shpreh ai.
Ngjarja ndodhi gjatë darkës vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, pak pasi eventi kishte nisur. Sipas raportimeve, një zhurmë e fortë u dëgjua në hyrje të sallës, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve.
Të ftuarit u shtrinë në dysheme, ndërsa Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u larguan menjëherë nga forcat e sigurisë. Agjentët e Shërbimit Sekret hynë në sallë të armatosur dhe urdhëruan evakuimin e pjesëmarrësve, mes tyre gazetarë, zyrtarë dhe personalitete të ndryshme.
Autori i dyshuar u arrestua në vendngjarje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit vijojnë.
