Në Wembley Stadium, Chelsea  gjen reagimin në momentin më të vështirë të sezonit, duke mposhtur minimalisht 1-0 Leeds United dhe duke siguruar një vend në finalen e FA Cup.

Heroi i sfidës ishte Enzo Fernandez, i cili në minutën e 23-të përfitoi nga një krosim i saktë i Pedro Neto dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke vendosur fatin e gjysmëfinales.

Londinezët, të tronditur nga rezultatet negative dhe ndryshimet në stol me largimin e teknikut Rosenior, u shfaqën më të vendosur që në fillim, duke dominuar pjesën e parë. Në të dytën, reagimi i Leeds, i drejtuar nga Daniel Farke, solli më shumë ritëm dhe presion, por jo konkretizim.

Vendimtar në këtë sukses ishte edhe portieri Robert Sanchez, i cili me disa pritje të rëndësishme mbajti të paprekur portën, duke neutralizuar përpjekjet e Brenden Aaronson dhe Anton Stach.

Pas një periudhe të trazuar, që kulmoi me shkarkimin e trajnerit Liam Rosenior nga pronarët e BlueCo, Chelsea rikthen besimin dhe synon trofeun e nëntë në këtë kompeticion.

Në finalen e madhe, përballë do të jetë Manchester City, që siguroi kualifikimin pas fitores 2-1 ndaj Southampton FC. Një duel i madh pritet më 16 maj, ku do të vendoset fituesi i këtij edicioni të kupës më të vjetër në botë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: