Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka zbritur në dhomat e zhveshjeve të stadiumit “Air Albania” për të takuar skuadrën pas fitores në derbi, ndërsa siç është bërë e zakonshme pas suksesit në një sfidë të tillë, ka premtuar një premio të majme.
Ai ka theksuar se shpresonte që loja në derbi të ishte një sinjal që skuadra vitin tjetër do të dominonte futbollin shqiptar.
“Ju falënderoj shumë, jam shumë i gëzuar për të gjithë sakrificën qe keni bërë. Për mua është gëzim dhe ju keni gëzuar të gjithë tifozët tanë. Nëse e keni vënë re, nëse do të bëjmë ndeshje të tilla si sot(të shtunën), që ishte një nga ndeshjet tona më të bukura, shpresojmë që ne të mbushim stadiumin herë tjetër plot. Pse e them këtë? Sepse shpresoj që sezonin e ardhshëm do të bashkëpunojmë përsëri të gjithë bashkë. Kuptohet që do të ketë edhe blerje te tjera që ne ta dominojmë kampionatin shqiptar dhe të mos vuajmë si vuajtëm këtë vit. Ju falënderoj të gjithëve pa masë, ju uroj suksese. Sa i përket premios, pa u lodhur ju, nga një premio do e bëjmë. Sa çdo marrim xhiro nga stadiumi, ndoshta 40, 50…”, tha Halili ndërsa futbollistët shpërthyen menjëherë në brohoritje.
-Në fund të sfidës, ashtu siç është bërë e zakonshme, lojtarët e Tiranës kanë shkuar poshtë tribunës së ultrasve të tyre për të festuar. Këtë radhë, festa ishte me kore ofenduese kundër Partizanit, të cilët lojtarë e bardhebluve nuk ngurruan t’i këndonin të entuziazmuar, përfshirë edhe lojtarët e huaj apo edhe Etien Tare, familja e të cilit ka lidhje të ngushta me klubin e kuq. Rijad Kobiljar “kaloi limitet”. Ai mori megafonin nga tifozët dhe për disa sekonda u kthye në “ultras”. Për këtë të fundit, disiplina mund të rezervojë një dënim siç ndodhi vite më parë me Gentian Muçën.
-Kobiljar kërkon si i çmendur të ekzkutojë goditjen e dënimit në të 83-ën Shehi i thotë jo dhe e godet te faqet me lehtësi. Është pikërisht goditja e dënimit që kthehet në gol nga Alvarezi.
