Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi sot se grupi i mbështetur nga Irani nuk do të përfshihet në negociata të drejtpërdrejta me Izraelin dhe do të vazhdojë atë që e quajti “rezistencë mbrojtëse” ndaj sulmeve në vijim.

Në një deklaratë të gjatë me shkrim, Qassem tha se Izraeli, i mbështetur nga Shtetet  States, ka dështuar të mposhtë Hezbollahun.

Sipas tij, forcat izraelite janë përballur me rezistencë të fortë dhe kanë arritur në një “rrugë pa krye”.

Një armëpushim në konflikt u shpall në mes të prillit nga presidenti amerikan Donald Trump, pas bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez Joseph Aoun.

Marrëveshja pritet të mbetet në fuqi edhe për dy javë të tjera, megjithëse të dyja palët kanë vazhduar shkëmbimin e zjarrit.

Qassem paraqiti kushtet për çdo marrëveshje të mundshme, duke përfshirë ndalimin e plotë të armiqësive në tokë, det dhe ajër, tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara, lirimin e të burgosurve, kthimin e banorëve të zhvendosur dhe rindërtimin.

Ai theksoi se Hezbollahu nuk do të çarmatoset, duke i cilësuar armët e tij si të domosdoshme për mbrojtje ndaj asaj që e quajti agresion izraelit, dhe paralajmëroi se grupi do të vazhdojë t’u përgjigjet sulmeve.

Në përfundim, ai deklaroi se Hezbollahu do të vijojë luftën derisa të rikthehet çdo territor libanez i pushtuar.

Ndërkohë, grupi nuk ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në bisedimet për armëpushimin Izrael-Liban, por ka sinjalizuar se do ta respektojë atë, për sa kohë që edhe Izraeli ndalon sulmet.

Qeveria libaneze nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi Hezbollahun, megjithatë një rol kyç në negociata po luan kryetari i parlamentit dhe aleati i grupit, Nabih Berri.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb