Të gjithë trenat në Gjermani u “imobilizuan në stacione” të martën në mbrëmje për shkak të një avarie në sistemet e komunikimit radio hekurudhor, tha operatori kombëtar hekurudhor Deutsche Bahn.
Pas dekadash të tëra investimesh të pamjaftueshme, të cilat kanë çuar në vonesa të shpeshta të trenave, Gjermania po përpiqet të modernizojë me shpejtësi rrjetin e saj hekurudhor të vjetëruar me investime masive publike.
“Teknikët tanë po punojnë me gjithë forcat për të zgjidhur këtë ndërprerje”, tha Deutsche Bahn në faqen e saj të internetit, pa specifikuar se sa do të zgjaste.
Në veri, trenat janë “plotësisht të ndaluar, sepse radioja hekurudhore është jashtë funksionit në shkallë të gjerë”, tha kompania private rajonale hekurudhore Metropol.
“Ne mendojmë se asgjë tjetër nuk do të jetë në qarkullim sonte”, tha për AFP zëdhënësi i Metronom, Simon Martens.
Metronom operon linja rajonale rreth Hamburgut, Bremenit dhe Hanoverit, duke transportuar më shumë se 120,000 pasagjerë në ditë.
Kompania u tha klientëve “të mos ndërmarrin më udhëtime me tren sot” dhe të kërkojnë mjete alternative transporti.
Ndërprerja prek të gjithë trenat bashkiakë, rajonalë dhe ata me distanca të gjata që drejtohen nga Deutsche Bahn, tha autoriteti i transportit publik të Berlinit në X.
Trafiku është pezulluar plotësisht në North Rhine-Westphalia në perëndim, tha policia e shtetit.
