“Anëtarësimi në BE; një mundësi historike që nuk duhet shpërdoruar”, kështu shprehet Ditmir Bushati nëpërmjet një video mesazhi të ndarë në rrjete sociale.

Bushati është shprehur kritik në qëndrimin e tij ndërsa thekson se nevoja për  reforma të vërteta të thelluara në fushën e sundimit të së drejtës është më e madhe se kurrë.

Më tej Bushati shton se vendet anëtare, presin prova të pakundërshtueshme të vullnetit politik në Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Video-mesazhi i Ditmir Bushatit.

Si sot 17 vjet më parë Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian. 17 vjet më pas unë ndodhen në Slloveni me ftesë të presidentit Pahor, në kuadër të grupit të miqve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar me kolegë nga vendet e rajonit, dhe me përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare kyçe të Bashkimit Europian në lidhje me rrugën tonë drejt BE.

Tani procesi i zgjerimit në BE, po shihet si pjesë e konsolidimit të projektit europian dhe pozicionimit dhe rolit të Europës në arenën ndërkombëtare krahas aktorëve të tjerë me peshë globale. Në këtë kontekst nevoja për reforma të vërteta të thelluara në fushën e sundimit të së drejtës është më e madhe se kurrë. Lajmi më i mirë nga rajoni, është ai për Malin e Zi, vendimi i vendeve anëtare për të filluar projektimin e traktatit të aderimit të Malit të Zi në Be, çka dërgon një mesazh të qartë politik në rajon se vendet e BE janë të gatshme për ta mikpritur Malin e Zi si vendin e 28 i BE-së.

Për Shqipërinë diskutimet për IBAR, për raportin e piketave të ndërmjetme në fushën e sundimit të së drejtës po vazhdojnë. Ende nuk është arritur masa kritike e mbështetjes nga vendet anëtare, mesa duket një pjesë e tyre nuk e kanë thënë vendimin përfundimtar dhe presin prova të pakundërshtueshme të vullnetit tonë politik në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Uroj shumë që ditët dhe javët në vijim, IBAR të miratohet dhe Shqipëria të futet gjithashtu me Malin e Zi në rrugën e përmbylljes së bisedimeve për anëtarësim. Uroj shumë që e gjithë klasa politike shqiptare duke nisur nga qeveria ta ketë lexuar drejt këtë kontekst të ri gjeopolitik dhe këtë dashamirësi të vendeve të Bashkimit Europian dhe të jemi në lartësinë që na thërret historia duke mos e shpenzuar këtë moment të rëndësishëm historik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: