Kandidatja për presidente, Feride Rushiti, ka deklaruar se e ka pranuar propozimin për kandidaturë me bindjen se është figurë unifikuese dhe se mund ta ndihmojë vendin të dalë nga ngërçi politik.
Ajo tha se kërkesa për kandidimin i ka ardhur nga shumë qytetarë, shoqëria civile, kryeministri Albin Kurti dhe partnerët ndërkombëtarë. Rushiti theksoi se pas diskutimeve të gjata me Kurtin, ka vendosur ta marrë këtë përgjegjësi me qëllim stabilizimin e institucioneve.
“S’kam pasur asnjëherë ambicie për pushtet. Kjo është një përpjekje e sinqertë për të kontribuar për vendin tim”, u shpreh ajo, duke shtuar se që nga viti 1999 ka bashkëpunuar me partitë politike duke pasur gjithmonë parasysh mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
E pyetur për thirrjet nga partitë opozitare që të tërhiqet nga gara, Rushiti tha se nuk është ndjerë asnjëherë pjesë e kalkulimeve politike.
Sipas saj, vendosi të hyjë në garë në momentin e fundit pasi pa se ishin konsumuar të gjitha mundësitë tjera.
Ajo shtoi se kishte besuar se si figurë unifikuese do ta merrte mbështetjen e të gjithë deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
