Në këto godina ku dikur ka punuar News24, supozohej që sot të punonte kompania shtetërore KAYO, e cila u themelua me qëllim prodhimin e materialeve dhe pajisjeve ushtarake. Por siç e shikoni, pas shumë muajsh nga deklarata e kryeministrit Rama, këtu nuk lëviz asgjë.
Rreth 9 muaj më vonë situata në ato ambiente duket e ngrirë. Godinat kanë vetëm një prezencë minimale për rtuajtjen e sigurisë, ndërsa nuk vihet re asnjë aktivitet konkret që të dëshmojë zhvillimin e premtuar. Premtimet për prodhime në fushën ushtarake, përfshirë makina ushtarake, dronë apo edhe projekte të mundshme detare, deri më tani nuk janë materializuar në asnjë formë të dukshme.
Ambientet ku për vite me radhë funksionoi Focus Media Group, me redaksi aktive, kamera në lëvizje dhe transmetime live, sot janë të braktisura. Nga një qendër mediatike aktive, zona është kthyer në një hapësirë bosh, ku koha duket sikur është ndalur.
Rreth 9 muaj më parë, gazetarë, operatorë, montazhierë e punonjës të mediave Neës24, Panorama TV, BalkanËeb, Gazeta Panorama, u nxorën me forcë nga vendi i tyre i punës, me argumentin se në këto godina do prodhoheshin armë, municione, makina ushtarake e dronë. E sot, pas kaq shumë kohësh, nuk shihet asnjë gjurmë se këtu po punohet. Atëherë për çfarë u desh gjithë ai nxitim i qeverisë, për të përdorur forca të shumta të policisë e ushtrisë kundër medias? Kundër gazetarëve?
Aksioni i 9 gushtit 2025 dite u justifikua si një ndërhyrje strategjike në funksion të mbrojtjes dhe industrisë ushtarake. Por mungesa totale e çdo zhvillimi konkret ka shtuar skepticizmin mbi natyrën reale të projektit dhe mbi aftësinë e KAYO-s së drejtuar nga Ardi Veliu për të realizuar objektivat e deklaruara. Zëra kritikë vënë në dyshim nëse struktura dhe eksperienca e saj janë të mjaftueshme për të përmbushur pretendime të një niveli kaq të lartë teknologjik dhe industrial.
Kontrasti i fortë mes deklarimeve fillestare dhe realitetit aktual në terren ka forcuar perceptimin se shumë prej premtimeve të bëra në atë kohë kanë qenë më tepër deklarative sesa plane të mbështetura në kapacitete reale ekzekutuese.
Sot, kur premtimi për transformim industrial nuk ekziston, real mbetet vetëm fakti se qeveria nxori me forcë nga ambientet një media kritike të saj me qëllimin e vetëm për ta bërë të heshtë.
