Fitorja ndaj Dinamos nuk solli vetëm tri pikë “të arta” për Flamurtarin, por riktheu edhe qetësinë në kampin kuqezi. Suksesi në këtë përballje ka shërbyer si një injeksion i fortë motivimi për skuadrën vlonjate, ndërsa drejtuesit e klubit kanë vendosur të shpërblejnë menjëherë futbollistët për paraqitjen në fushë.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se lojtarët janë shpërblyer me një shumë të konsiderueshme financiare, që kap shifrën rreth 50 milionë lekëve për fitoren ndaj Dinamos. Një politikë e tillë shpërblimesh duket se është kthyer tashmë në një strategji të qartë të presidencës, e cila synon të mbajë skuadrën të karikuar maksimalisht në fazën vendimtare të sezonit.

Presidenti Sinan Idrizi nuk është ndalur vetëm te kjo sfidë, pasi premio janë shpërndarë edhe për triumfin ndaj Egnatias. Interesant është fakti se shpërndarja e shpërblimeve është bërë nga djali i tij, Ensar Idrizi, i cili ka qenë pranë skuadrës duke ndarë me lojtarët momentet e suksesit. Por surprizat nuk mbarojnë këtu.

Në ambientet e klubit flitet se do të ketë shpërblime të tjera edhe për ndeshjet e ardhshme, përfshirë përballjen me Partizanin, ku “koka” e të kuqve mbetet një objektiv i rëndësishëm. Shuma konkrete mbetet ende surprizë, por një gjë është e qartë, çdo fitore do të ketë premio të dedikuar.

Kulmi i shpërblimeve pritet të vijë në fund të sezonit. Nëse Flamurtari arrin objektivin madhor, mbijetesën në elitë, atëherë presidenti Idrizi ka planifikuar një superpremio prej 200 milionë lekësh për skuadrën. Një shumë që konfirmon ambicien dhe besimin te potenciali i ekipit.

FESTË DHE MBLEDHJE

Festë në dhomat e zhveshjes, por edhe analizë teknike. Pas vërshëllimës finale ndaj Dinamos, atmosfera ka qenë elektrizuese. Lojtarët dhe stafi kanë festuar së bashku, ndërsa mes tyre është bashkuar edhe Ensar Idrizi. Nuk kanë munguar brohoritjet, fotografitë e përbashkëta dhe një moment i veçantë solidariteti, ku skuadra ka pozuar me fanellën e Todor Todoroskit, i cili për shkak të një dëmtimi të rëndë ka mbyllur sezonin.

Paralelisht me festën, presidenti Sinan Idrizi ka zhvilluar një mbledhje me bashkëpunëtorët e tij, ku është analizuar në detaje paraqitja e skuadrës. Konkluzioni ka qenë pozitiv, Flamurtari ka potencial dhe cilësi për të vijuar me rezultate pozitive në javët e mbetura dhe për të siguruar qëndrimin në Superiore. Në këtë klimë motivimi dhe shpërblimesh të majme, gjithçka mbetet tashmë në këmbët e futbollistëve të Flamurtarit, të cilët duhet të justifikojnë besimin e drejtuesve në fushën e lojës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb