Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi një takim pune me efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë, pas inaugurimit të ambienteve të reja të këtij institucioni, në prani edhe të Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Gjatë takimit, Hita kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit dhe efektivët për sigurimin e informacionit, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Ai theksoi rëndësinë e identifikimit të financuesve dhe trafikantëve të kanabisit, si dhe kapjen e personave në kërkim.
Hita u ndal edhe te një rast konkret, duke kërkuar intensifikimin e punës për kapjen e një personi në kërkim, të cilit, sipas tij, i janë gjetur armë në banesë gjatë kontrolleve të mëparshme, por ende nuk është arrestuar.
Mes porosive të tjera ishin lufta kundër armëmbajtjes pa leje, parandalimi i krimeve mjedisore, si dhe ndjekja në kohë reale e çdo shqetësimi të qytetarëve, pavarësisht rëndësisë së tyre.
Hita kërkoi gjithashtu rritje të performancës nga punonjësit e Policisë, duke theksuar se kushtet e reja të punës kërkojnë një nivel më të lartë shërbimi ndaj qytetarëve.
Në përfundim, ai i bëri thirrje Policisë Rrugore që të zbatojë me rigorozitet detyrat, duke u fokusuar te përdorimi i teknologjisë për evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
