Kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla do të dëshmojë pas pak në Gjykatën e Posaçme në lidhje me dosjen “Partizani”.
Në një reagim për mediat, ai u shpreh se i qendron kallëzimit të bërë ndaj kreut të PD Sali Berisha, për të cilin tha se ndërkohë që është në bankën e të akuzuarve, kjo konsiderohet si “Ditë e madhe për Shqipërinë”.
Balla ka devijuar dhe nuk i është përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjes së gazetares së News24 Klodiana Lala e cila e pyeti nëse mban të njëjtin qëndrim sa kohë që në bankën e të akuzuarve janë socialistë si kreu i Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe ish zëvendës kryeministrja Belinda Balluku.
Pyetja: Ju thatë që është një ditë e madhe për Shqipërinë për sa kohë që në bankën e të akuzuarve është Sali Berisha. A ndani të njëjtin qëndrim në kohën kur në bankën e të akuzuarve vjen Erion Belia, Belinda Balluku, për ato që janë të ngjashmit tuaj?
Balla: Atëherë, po e them dhe njëherë. Që nga viti 1912, kur shqiptarët bënë shtetin e tyre të parë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Dhe arsyeja pse jemi shumë më afër Europës është reforma në drejtësi e cila ka rikthyer besimin tek drejtësia, një besim që nuk ka qenë asnjëherë, dhe se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Bashkimit Europian, se institucionet e Bashkimit Europian konfirmojnë dita ditës që Shqipëria po bën hapa të lavdërueshëm, dhe t’ju konfirmoj se pritshmëria jonë që brenda vitit 2027 të mbyllim negociatat dhe brenda vitit 2030 në oborrin e Bashkimit Europian të ngremë flamurin kuq e zi është e vërtetë.
