Shqipëria është renditur në vendin e 83-të nga 180 shtete në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2026, duke shënuar një rënie me tre pozicione krahasuar me një vit më parë. Sipas analizës së publikuar dhe monitorimeve të realizuara gjatë vitit 2025 dhe fillimit të 2026, përmirësimet ligjore të raportuara nuk janë reflektuar në praktikën e përditshme të ushtrimit të gazetarisë.
Në reagimin e prezantuar nga rrjete rajonale të sigurisë së gazetarëve dhe organizata të specializuara, përfshirë SCiDEV Center, theksohet se mjedisi për gazetarinë kritike mbetet i ngarkuar nga presione strukturore, ekonomike dhe politike, të cilat nuk shfaqen si ngjarje të izoluara, por si një fenomen i vazhdueshëm.
Një nga rastet më të theksuara të raportuara në analizën e prezantuar nga Blerjana Bino, nga SciDev, lidhet me Focus Media Group, ku në gusht 2025 u regjistrua ndërprerje e operimit të disa mediave, përfshirë News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. U bllokua aksesi në ambiente pune, u ndërpre energjia elektrike dhe gazetarët nuk u lejuan të hynin në redaksi, duke prekur rreth 230 punonjës.
Megjithëse një gjykatë e shkallës së parë e konsideroi masën joproporcionale dhe kërkoi kthimin e pajisjeve dhe dokumenteve, zbatimi i vendimit mbeti problematik, duke lënë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e mediave dhe sigurinë e punonjësve të tyre.
Raportimi i plotë:
Shtrëngimi i ngadaltë dhe i vazhdueshëm i gazetarisë në interes publik në Shqipëri
Blerjana Bino
Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit 2026 e rendit Shqipërinë në vendin e 83-të nga 180 vende, me një rënie prej tre vendesh krahasuar me një vit më parë. Rritja e vitit 2025, e nxitur kryesisht nga zhvillime në kuadrin ligjor, nuk është reflektuar në praktikë sapo këto ndryshime janë përballur me kushtet reale në të cilat ushtrohet gazetaria.
Në terren, mjedisi për raportim kritik dhe për ushtrimin e lirisë së shprehjes nuk ka ndryshuar. Ky model konfirmohet nga monitorimet në nivel kombëtar gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026. Raporti i Treguesve për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve në Shqipëri 2025, së bashku me raportin për Sigurinë e Gazetareve dhe Punonjëseve të Medias, të prezantuara në konferencën rajonale të SafeJournalists Network në Beograd, tregojnë të njëjtën prirje. Kuadri ligjor ka avancuar në disa drejtime edhe në kontekstin e procesit të përshpejtuar të integrimit në BE. Megjithatë, kushtet që prodhojnë rrezik për gazetarët mbeten të rrënjosura dhe në disa raste janë konsoliduar më tej si dobësi strukturore. Presioni mbi gazetarinë në Shqipëri është i akumuluar dhe shpesh i normalizuar. Ky presion rrallë shfaqet si një ngjarje e vetme.
Monitorimet tregojnë që nuk kemi një përkeqësim të menjëhershëm të lirisë së shprehjes dhe medias, por as një përmirësim të qartë. Kemi një gjendje ndërmjet, ku arkitektura ligjore lëviz në letër ndërsa presionet strukturore vazhdojnë të përcaktojnë mënyrën se si ushtrohet gazetaria në interes publik, e cila po shtrëngohet dhe kufizohet si në formë dhe në funksion njëkohësisht nga disa drejtime. Kjo reflektohet edhe në të dhënat e vitit 2025, ku rreth 40% e gazetarëve raportojnë se kanë përjetuar forma presioni apo intimidimi lidhur me punën e tyre, ndërsa mbi gjysma e tyre pranojnë se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si raportojnë tema sensitive si korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Ky shtrëngim shihet fillimisht në mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet komunikimi politik. Përmbajtje të parapërgatitura nga aktorë politikë qarkullojnë drejtpërdrejt në platformat digjitale dhe jo vetëm, duke anashkaluar verifikimin e pavarur dhe duke e reduktuar rolin e gazetarëve në përcjellës informacioni. Rreth 70 për qind e gazetarëve që mbuluan fushatën parlamentare të majit 2025 raportuan vështirësi në qasjen ndaj informacionit, dhe pothuajse gjysma raportuan mbështetje në materiale të parapërgatitura. Interesat e ndërthurura dhe ndikimet e padrejta formësojnë rrezikun editorial përmes strukturave të pronësisë, varësisë ekonomike dhe presionit reputacional.
Edhe pse nuk ka dhunë fizike të përhapur apo ndërhyrje të drejtpërdrejta të dukshme, Rrjeti SafeJournalists raportoi 16 raste sulmi të drejtpërdrejtë për 2025 nga 42 raste të presionit e kërcënimeve, funksioni mbikëqyrës dhe kritik i gazetarisë bëhet më i vështirë për t’u ushtruar dhe konsoliduar. Kjo situatë reflektohet edhe në ndikimin e influencave joformale, duke përfshirë edhe krimin e organizuar, sikurse e konfirmon edhe Raporti i RSF krahas raporteve kombëtare. Gazetarët që mbulojnë korrupsionin, kontratat publike dhe krimin e organizuar përballen me presion të vazhdueshëm në akses, burime dhe vijimësi të raportimit, sidomos në sektorë ku ndërthuren interesat ekonomike të pronarëve të mediave, vendimmarrja politike dhe publike dhe ekspozimi ndaj kriminalitetit. Fushat që kërkojnë më shumë hetim janë shpesh ato ku rreziku profesional është më i lartë.
Kjo situatë reflektohet edhe në të dhëna konkrete, ku 63.3% e gazetarëve e identifikojnë korrupsionin si temë sensitive apo të kufizuar për raportim, ndërsa 46% raportojnë të njëjtën gjë për krimin e organizuar. Edhe dinamika e tregut e përforcon këtë presion. Shpejtësia, logjika e algoritmit të platformave të mëdha, dukshmëria dhe gara për vëmendje shpërblehen më shumë se raportimi i thelluar dhe i bazuar në evidencë. Gazetaria investigative bëhet më pak e qëndrueshme ekonomikisht. Kjo shoqërohet me ligjërim të vazhdueshëm kundër medias dhe me përpjekje për delegjitimimin e gazetarëve dhe aktorëve mbikëqyrës, si dhe me një ngushtim të hapësirës civile. Këto dinamika bëhen më të qarta kur analizohen raste konkrete.
Bllokimi i operimit të Focus Media Group në gusht 2025 është një nga shembujt më domethënës. Gjatë një operacioni nga Policia e Shtetit, u bllokua aksesi në godinat ku operonin News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. U ndërpre energjia elektrike. Gazetarët nuk u lejuan të hynin në ambientet e tyre të punës. Transmetimi u ndërpre. Rreth 230 punonjës u prekën drejtpërdrejt.
Një gjykatë e shkallës së parë i vlerësoi këto masa si joproporcionale dhe urdhëroi kthimin e pajisjeve dhe dokumenteve, por zbatimi i vendimit mbeti problematik. Rasti tregon se si veprimet administrative, ndërprerja e aksesit dhe vonesat në zbatimin e vendimeve gjyqësore ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e medias. Presioni ndaj mediave të Focus Media nuk është zbutur që atëherë. Kostoja bie drejtpërdrejt mbi gazetarët dhe punonjësit e medias brenda këtyre redaksive, siguria e të cilëve sociale dhe ekonomike, pagat, kontratat dhe vetë mundësia për të vijuar ushtrimin e profesionit varen nga media që po gërryhen gradualisht nën një presion të vazhdueshëm. I njëjti hendek midis ndryshimit formal dhe efektit praktik shihet edhe në reformën ligjore.
Ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në janar 2026 u paraqitën si progres në fushën e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së gazetarëve. Përforcimi i mbrojtjes ndaj dhunës dhe kërcënimeve është i rëndësishëm, por mënyra si është trajtuar hap rrugën për probleme të tjera. Shoqëria civile kërkoi dekriminalizim të plotë të shpifjes dhe fyerjes, të bazuar në funksionin publik të shprehjes. Ndryshimet e miratuara parashikojnë përjashtim nga përgjegjësia penale vetëm për gazetarë të “regjistruar” ose “të njohur”, ndërkohë që fyerja mbetet vepër penale. Mbrojtja e shprehjes lidhet kështu me statusin dhe jo me funksionin. Kjo krijon pasiguri dhe diferenca në mbrojtje midis aktorëve që kontribuojnë në interes publik.
I njëjti model shfaqet në kushtet e punës. Stabiliteti dhe mbrojtja e pozicionit të gazetarëve u përkeqësuan gjatë vitit 2025 dhe mbeten ndër elementët më të dobët të mjedisit mediatik. Inspektimet evidentojnë shkelje në pagesa, punësim informal dhe ndërprerje kontratash. Të dhënat tregojnë gjithashtu se 36.8% e gazetarëve raportuan përkeqësim të kushteve të punës gjatë vitit 2025, ndërsa një pjesë e konsiderueshme lidhin drejtpërdrejt pasigurinë në punë me vendimmarrjen editoriale dhe shmangien e temave me rrezik të lartë.
Ankesat janë rritur dhe në shumicën e rasteve janë zgjidhur në favor të punonjësve. Edhe pse kapaciteti institucional dhe bashkëpunimi ndërinstitucional është rritur, psh marrëveshja AMA-Inspektorati i Punës, por ndikimi mbetet i kufizuar. Gazetarët e mediave audiovizive me disa përjashtime, reporterët e korrespondentët, punonjësit në media online operojnë në një mjedis ku rreziku është i vazhdueshëm dhe vendimet formësohen nga kombinimi i gjykimit profesional dhe kufizimeve të marrëdhënies së punës. Në mjedisin digjital, ky presion është më i dukshëm. Sulmet online, fushatat e delegjitimimit dhe sulmet kibernetike janë intensifikuar, sidomos ndaj gazetarëve që mbulojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këto sulme vijnë nga aktorë të ndryshëm politikë dhe nuk kufizohen në një kamp të vetëm. Kufizimi i TikTok në vitin 2025, i shpallur më pas antikushtetues, tregon gjithashtu se ndërhyrjet rregullatore mund të ndërmerren pa analizë të mjaftueshme proporcionaliteti. Në këtë kontekst, gratë gazetare përballen me një barrë më të madhe.
Format e presionit janë të koordinuara, të vazhdueshme dhe shpesh anonime. Ato rrisin koston e raportimit dhe ndikojnë në mënyrën se si trajtohen temat sensitive. Shumë prej tyre kufizojnë dukshmërinë, shmangin tema të caktuara ose përshtasin mënyrën e raportimit. Rezultati është një ngushtim gradual i pjesëmarrjes në gazetarinë në interes publik, veçanërisht në raportimin mbi temat me rrezik të lartë. Këto presione lidhen ngushtë me strukturat e pronësisë. Analiza e Open Data Albania për 14 mediat audiovizive më të rëndësishme në vend ka gjetur që 27 pronarët e identifikuar mbajnë gjithashtu pjesëmarrje në 180 biznese të tjera në sektorë të ndryshëm.
Rreth 80 për qind e këtyre pronarëve i përkasin vetëm pesë rrjeteve familjare. Disa janë të lidhur me firma të angazhuara në Partneritete Publike-Private, dhe të tjerë me kompani që kanë përfituar pronë publike apo kontrata me vlerë të lartë në prokurimin publik. Raportimi i BIRN Albania gjatë vitit 2025 e ka mprehur më tej këtë pamje: kompanitë e lidhura me pronarët e të tre transmetuesve kryesorë kombëtarë kanë përfituar statusin e Investitorit Strategjik nga shteti, një përcaktim që sjell tokë publike, alokime buxhetore dhe procedura të përshpejtuara administrative.
Transparenca e pronësisë është përmirësuar me ndryshimet rregullatore të AMA, por mekanizmat për kufizimin e përqendrimit dhe garantimin e pluralizmit mbeten të dobët. Mjedisi mediatik përfshin njëkohësisht gazetari në interes publik dhe aktivitete mediatike të përdorura për qëllime politike, ekonomike apo personale. Ky dualitet ndikon në mënyrën se si funksionon presioni dhe si qarkullojnë narrativat. Në një mjedis ku presioni është i shpërndarë dhe i ndërthurur, integriteti i medias dhe standardet profesionale mbeten faktorë përcaktues për mënyrën se si funksionon gazetaria në interes publik. Gazetaria në interes publik nuk po zhduket, por po transformohet në një funksion më të kufizuar dhe më të kujdesshëm, nën ndikimin e presioneve strukturore që veprojnë njëkohësisht. Mënyra se si adresohen këto kushte do të përcaktojë hapësirën reale për raportim të pavarur dhe cilësinë e debatit publik dhe mundësinë për llogaridhënie.
Në këtë kuptim, indekset ndërkombëtare ofrojnë një pamje të rëndësishme të zhvillimeve, ndërsa analiza në nivel vendi dhe debati i vazhdueshëm mbi zgjidhjet ndihmojnë për të kuptuar dhe adresuar mënyrën se si këto reflektohen në praktikën e gazetarisë.
Ky artikull reflekton mbi gjetjet e raporteve të Rrjetit SafeJournalists për Shqipërinë, të prezantuara në Konferencën rajonale “Nga evidenca drejt ndryshimit: Siguria dhe pozita e gazetarëve dhe grave gazetare në Ballkanin Perëndimor” në 29–30 prill 2026, me autor Blerjana Bino dhe që do të publikohen së shpejti në shqip dhe anglisht nga Rrjeti SafeJournalists.
