Ish-këshilltari i ish-Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Kreshnik Çollaku, ka bërë deklarata të forta për zhvillimet politike në Kosovë, ndërsa vendi pritet t’u drejtohet zgjedhjeve të reja pas shpërndarjes së Parlamentit dhe dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri.

I ftuar në programin e drekës në News24, Çollaku ngriti dyshime për një plan të qëllimshëm për eliminimin politik të Osmanit, duke e cilësuar largimin e saj si një zhvillim me pasoja për vendin.

“Eleminimi i një presidenteje si Vjosa Osmani, me aq lidhje ndërkombëtare të rëndësishme për Kosovën, ngre pyetjen: kujt i shërben ky veprim? Unë mendoj se ka një plan për ta eliminuar politikisht dhe ky plan është aktivizuar”, u shpreh ai.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin Albin Kurti, për shkak të prishjes së marrëveshjes politike mes tyre. Çollaku deklaroi se mes Osmanit dhe Kurtit kishte ekzistuar një “kontratë politike”, e cila kishte funksionuar për një periudhë, pavarësisht dallimeve ideologjike.

Ai zbuloi se në janar, Kurti i kishte premtuar Osmanit mbështetjen e shumicës parlamentare me 66 vota për rizgjedhjen e saj si presidente, ndërsa kërkoheshin edhe vota nga opozita për të arritur kuorumin prej 80 votash.

Sipas Çollakut, Osmani ishte angazhuar për të siguruar mbështetjen e opozitës, veçanërisht nga LDK, dhe vetëm tre ditë para afatit ishin siguruar votat e nevojshme. Megjithatë, në mënyrë të papritur, pak ditë para seancës, asaj iu komunikua se nuk do të ishte më kandidatja e Lëvizja Vetëvendosje për presidente.

Çollaku theksoi se largimi i Osmanit ka krijuar avantazhe për faktorë që nuk janë në interes të Kosovës, duke përmendur edhe ndikimin në raportet ndërkombëtare, ku sipas tij, figura e saj kishte peshë të madhe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb