Në një reagim në Facebook, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka ndarë disa nga shqetësimet e qytetarëve të Tiranës.
Ai thekson se qytetarët janë lënë pas dore ndërsa në vend çmimet vijojnë të rriten dhe kostot e përditshme shtohen.
Muçollari bën thirrje që qytetarët të bashkohen në protestën e 8 majit kundër padrejtësive.
Reagimi i plotë;
Nebiu na tregon 1 majin…
Gjatë daljes në njësinë 7 për të takuar qytetarë, për të folur me ta, për t’i ftuar në protestën e 8 majit, u shfaq energjik miku im Nebi Kurti. Një takim i thjeshtë, në një ditë të zakonshme, por që në fakt më dha një kuptim tjetër për këtë 1 Maj.
Nebiu punon taksist në Tiranë. Ditët e tij nisin herët dhe mbarojnë vonë. 12 orë në timon, shpesh pa pushim, duke lëvizur nga një klient te tjetri, në një qytet që çdo ditë bëhet më i shtrenjtë për t’u jetuar. Nuk është një zgjedhje për të punuar kaq shumë. Është një detyrim që vjen nga realiteti.
Nafta që rritet, çmimet që nuk ndalen, kostot e përditshme që shtohen – të gjitha e shtyjnë të zgjasë edhe më shumë orarin, vetëm që të mbajë një standard jetese që dikur konsiderohej normal, por që sot duket gjithnjë e më i paarritshëm.
Dhe kjo nuk është vetëm historia e Nebiut. Është historia e shumë punëtorëve në këtë qytet. Edhe e shumë rrogëtarëve të thjeshtë, që çdo muaj përpiqen të bëjnë llogaritë, duke kursyer aty ku mundin, duke hequr dorë nga gjëra bazike, vetëm për të mbajtur ekuilibrin. Punojnë më tepër, por ndjejnë se përfitojnë më pak.
Ky është paradoksi i këtij 1 Maji.
Këtë paradoks e shprehin në mënyrë dramatike edhe të dhënat nga raporti i fundit i Komisionit Europian, i cili gjeti se 39% e punonjësve shqiptarë kanë vështirësi, ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin, nga 8% që është mesatarja europiane. Kjo përqindje është më e larta në Europë.
Nebiu padyshim është pjesë e kësaj statistike. Por ajo që të bën përshtypje nuk është vetëm lodhja. Është fakti që ai nuk është dorëzuar. Ka një qetësi në mënyrën si flet, një buzëqeshje që nuk mungon, dhe një vendosmëri për të qenë prezent. Nuk mungon në asnjë protestë. Nuk e konsideron reagimin si luks, por si detyrim.
Sepse për të, ndryshimi nuk vjen duke pritur. Vjen duke qenë aty, duke folur, duke mos u bërë indiferent.
Ky 1 Maj nuk duhet të jetë vetëm një ditë simbolike për të kujtuar punën. Duhet të jetë një moment reflektimi më i thellë: a e justifikon puna që bën secili prej nesh mënyrën se si po jetojmë? A ka ende lidhje mes mundit dhe jetesës që arrijmë të sigurojmë?
Sepse realiteti është i qartë: jeta është bërë më e shtrenjtë, ndërsa përpjekja për ta përballuar është bërë më e gjatë dhe më e lodhshme.
Nebiu nuk është një rast i veçuar. Është një pasqyrë. Një shembull konkret i asaj që shumë njerëz po përjetojnë çdo ditë, në heshtje.
Dhe pikërisht për këtë arsye, historia e tij nuk është thjesht personale. Është një histori që duhet treguar.
