Prej vitit 2025, Kosova po shkon në tre palë zgjedhje – një luks i tepërt për shtetin më të ri të Europës.
Përsëritja e zgjedhjeve të përgjithshme pothuajse në çdo gjysmë viti mund të lexohet edhe si “shprehje e një ritmi të shëndoshë demokratik”.
E vërteta është se, ndër zgjedhjet e kryera që prej vitit 2021, vetëm dy prej tyre kanë qenë brenda normalitetit kohor elektoral. Të tjerat, fatkeqësisht, duket se kanë qenë për hesape elektorale.
Përsëritja mund të lexohet edhe si fragmentim i skenës politike, mungesë kompromisi dhe polarizim i tejskajshëm. Për rrjedhim, Kosova, të paktën prej vitit 2025, gjendet në një krizë politike dhe institucionale dhe mungesë stabiliteti politik.
Pavarësisht se si mund të lexohen motivet e kësaj “fiskulture” elektorale, në fund të fundit, klasa politike e Kosovës, po tregon se, në vend që të përllogarisë zgjidhjet e mëdha që duhen përshtatur në kuadër të fluiditetit gjeopolitik që po kalon bota dhe Europa, përllogarit interesat e vogla partiake; në vend se të kujdeset për të krijuar stabilitet politik dhe, prej këtej, stabilitet institucionesh, stabilitet ekonomik, financiar e ushtarak, kujdeset për stabilitet individësh.
Pra, prej dy vjetësh, në vend se klasa politike e Kosovës të menaxhojë shtetin, të kryejë reforma aq të domosdoshme për përparim ekonomiko-shoqëror, në fakt, administron zgjedhjet. Përtej stërlodhjes së zgjedhësve, mjafton të sjellim në kujtesë se në secilën palë zgjedhjesh harxhohen miliona e miliona euro – një kosto e rëndë ekonomike e financiare, kur kujtojmë se Kosova nuk ka mbushur as 20 vjet shtet i pavarur.
Aleatët perëndimorë, të cilët investuan bashkë me popullin e Kosovës që Kosova të bëhej, investuan akoma më shumë në sigurinë dhe financat e saj që ajo të rritej, prandaj kanë arësye të presin një trend të shëndetshëm qeverisje, jo një trend të sëmurë për ndarje postesh. Klasa politike e Kosovës, me një papërgjegjshmëri të pakuptueshme, po iu jep arësye që të habiten, e madje të maten për investim të mëtejshëm.
Kjo mungesë stabiliteti në Kosovë bëhet edhe më shqetësuese kur edhe aktorët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë defaktorizuar si kurrë më parë, ndërkohë që Shqipëria po përjeton një krizë të thellë besimi politik.
