Dje protesta madhështore e qytetarëve në Tiranë përfundoi në rrugën e Rinasit pas mesnate dhe u ndal nga policia, gjë që krijoi disa pakënaqësi.
Është e kuptueshme që jo të gjithë e kanë parë njësoj atë që ndodhi. Por një gjë duhet ta kemi të qartë të gjithë: Asnjë keqkuptim i një momenti nuk duhet të kthehet në shkak për përçarjen e protestës madhështore të shqiptarëve!
Kur mijëra qytetarë ngrihen për një kauzë të përbashkët, është normale të ketë mendime të ndryshme, keqkuptime apo situata të paparashikuara. Kjo nuk është shenjë dobësie. Dobësia fillon vetëm atëherë kur harrojmë pse kemi dalë në protestë dhe fillojmë të shohim njëri-tjetrin si kundërshtarë.
Sot, rreziku më i madh për këtë lëvizje nuk është një keqkuptim mes protestuesve. Rreziku më i madh është përçarja. Çdo përçarje iu shërben interesave të panjohura, iu shërben atyre që duan ta shohin këtë revoltë qytetare të humbasë forcën, të largohet nga qëllimi i saj dhe të shuhet.
Duhet të kemi maturinë dhe qetësinë të kuptojmë se një lëvizje e madhe nuk gjykohet nga një episod i vetëm. Ajo gjykohet nga qëndrueshmëria, nga uniteti dhe nga aftësia për të mos u thyer përballë vështirësive. Kushdo që sot zgjedh të ushqejë ndasitë, po i bën dëm kauzës që pretendon se mbron.
Le të mos harrojmë se të gjithëve na kanë bashkuar padrejtësitë dhe gabimet e mëdha të kësaj qeverie, jo mosmarrëveshjet e vogla. Na kanë bashkuar problemet që prekin çdo familje shqiptare, jo rruga që u ndoq për disa kilometra më shumë apo më pak. Përballë gabimeve dhe dështimeve që kanë rënduar mbi këtë vend për vite me radhë, një keqkuptim mes protestuesve është i papërfillshëm.
Sot më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë bashkë. Të mos biem pre e emocioneve të momentit, e provokimeve apo e interesave që kërkojnë të na ndajnë. Kjo protestë u bë e madhe sepse ka bashkuar njerëz të zakonshëm rreth një qëllimi të përbashkët. Dhe do të mbetet e fortë vetëm nëse ruan unitetin.
Asnjë hap i gabuar nuk e dëmton një kauzë sa e dëmton përçarja. Prandaj sot detyra e secilit nuk është të gjejë arsye për t’u ndarë, por arsye për të qëndruar krah për krah deri në fund.
Asnjë keqkuptim nuk duhet të thyejë bashkimin kundër gabimeve madhore të qeverisë!
