Eksperti ligjor Indrit Sefa, gjatë një lidhje live me studion e lajmeve në News24, duke komentuar zhvillimet politike në PD, tha se skualifikimi i Ervin Salianjit nga gara për kreun e PD nuk ka bazë ligjore pasi ai i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një kandidat potencial përballë Berishës.
Sipas Sefës, vetëpërjashtimi është një term që ka shpikur Berisha pasi nuk ka vendim përjashtimi për Salianjin.
Gjithcka sipas tij, bëhet për të minimizuar rrisqet që mund t’i vijnë Berishës nga gara me kandidatë të denjë për të qenë pretendentë për kreun e PD.
“I gjithë pushteti moral i Berishës lidhet me faktin se ai është i padiskutuar, se s’ka kandidatë.
Berisha do të ishte i sfiduar pasi e ka humbur mbështetjen tek demokratët, tek pjesa më e madhe e demokratëve”, tha Sefa.
Indrit Sefa: Salianji i plotëson të gjithë kriteret dhe nuk ka nivel më të lartë përfaqësimi se ai. Dhe nga ana ligjore formalisht nuk ka vendim përjashtimi. Vetëpërjashtimin e ka shpikur Berisha dhe i shkon nga pas gjithë oborri i tij. Përjashtimi bëhet me vendim të kryesisë së PD dhe duhet të dalë me vendim dhe ky vendim ndjek rrugën ligjore dhe mund ta ankimosh.
Për zonjën Balliu e di që ka qenë anëtare e FRPD. Ka një vendim përjashtimi. Një kandidat në garë përballë Berishës ka detyrimin sipas gjithë rregullave që të ketë anëtarët e vet në komisionin zgjedhor, vëzhgues dhe anëtarë në komision që dmth secili prej tyre do të kishte një sy më shumë për të parë rregullsinë e procesit zgjedhor brenda PD.
Të jeni të sigurtë se nuk do të kishte më 44 mijë votues në zgjedhje, sepse vëzhguesit dhe komisionerët do të ishin të interesuar të mbanin një proces zgjedhor jo për të mbushur kutitë por do të ishte me ata persona që do të merrnin pjesë në zgjedhje.
Arsyeja politike, Berisha nuk mundet të rrezikojë që të sfidohet brenda PD. I gjithë pushteti moral i Berishës lidhet me faktin se ai është i padiskutuar, se s’ka kandidatë.
A mund të ishte i sfiduar.
Të jeni të bindur se Berisha do të ishte i sfiduar pasi e ka humbur mbështetjen tek demokratët, tek pjesa më e madhe e demokratëve.
Protestat e përjavshme janë një turp se ku ka arritur PD. Është në kilometrin e fundit për të arritur në greminë.
Fatkeqësisht protestat e fundit janë për të ardhur keq.
