Problemi i mungesës së aksesit në banesa dhe toka në lagjen Ajasëm të Shkodër vijon prej tre vitesh, ndërsa banorët thonë se nuk kanë ende një zgjidhje konkrete nga institucionet vendore.

Një grup banorësh, së bashku me denoncuesin Zef Vuksani, së bashku me gazetarin e emisionit “TakFak” në News24 që ka ndjekur hapat e zgjidhjes së këtij problemi, kërkuan takim me kryetarin e bashkisë, por janë pritur nga nënkryetari Alban Preka, përfaqësues i Bashkia Shkodër.

Per mikrofonin e “TakFak”, Preka është shprehur se bashkia është në dijeni të problemit dhe se po kryhen verifikime në terren për mundësinë e hapjes së një rruge në zonë.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë një afat konkret për ndërhyrjen, duke theksuar se procesi është ende në shqyrtim.

Banorët, nga ana tjetër, shprehen të pakënaqur me mungesën e zgjidhjes, duke theksuar se prej tre vitesh janë në pritje të një vendimi për aksesin në pronat e tyre.

Zef Vuksani ka deklaruar se situata është bërë e papranueshme dhe se institucionet kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë.

Pas takimit, banorët paralajmëruan se do të organizojnë protestë para Bashkisë së Shkodrës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për hapjen e rrugës dhe rikthimin e aksesit në pronat e tyre.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb