Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u shpreh sot në Kuvend se për shkak të ligjit të miratuar në vitin 2024, nuk ka më zona të mbrojtura dhe fadromat po shkatërrojnë trashëgiminë dhe mjedisin.
Zhupa tha se, për herë të parë raporti i komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian, bën thirrje për shfuqizim të ligjit që ka miratuar Kuvendi.
“PE bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes tek Këshilli Kombëtar i Territorit duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”, citoi Zhupa, Parlamentin Evropian.
Deputetja e PD-së tha se, ky ligj është kundërshtuar nga PD madje është çuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku u mor rezultati 4 me 4.
“Si kuvend kemi detyrimin që të bëjmë shfuqizimin e atij ligji, jo vetëm se është antikushtetues por sepse tashmë e kemi të shkruar nga Bashkimi Evropian se ky ligj është pengues i rrugës së Shqipërisë drejt BE. Është jashtë standardeve që kërkon BE”, bëri thirrje Zhupa.
“Praktikisht, sot në Shqipëri, nuk ka më Zona të Mbrojtura. Ka vetëm “pika të vogla”, tha Ina Zhupa.
