Ernest Muçi do të mësojë brenda tre ditësh të ardhmen e tij, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Trazbonspor, apo nëse do të detyrohet të kthehet te Beshiktashi që e ka dhënë në huazim. Akordi mes dy klubeve tregon se brenda datës 10 maj, Beshiktashi duhet të njoftohet nga Trabzonspori rreth transferimit përfundimtar të sulmuesit shqiptar apo jo.
Gjatë ditëve të fundit kishte shumë paqartësi, nëse Trabzonspori do të aktivizonte apo jo klauzolën e blerjes së tij duke paguar këstin e parë të shumës prej 8,5 milionë eurosh. Por për këtë situatë ka hedhur dritë vetë presidenti i klubit, Ertugrul Dogan, i cili ka dhënë një intervistë për “A Spor” dhe ndër të tjera është ndalur edhe te futbollisti në fjalë.
Ai kishte thënë që në fillim se vendimin për Muçin do ta merrte trajneri Fatih Feke dhe i pyetur mbrëmë rreth kësaj çështje, Dogan ka konfirmuar se gjërat po shkojnë në rrugën e duhur.
“Qëndrimi i trajnerit tonë në këtë çështje është pozitiv. Do të shohim të gjithë bashkë si shkojnë zhvillimet përfundimtare”, tha ai, duke lënë të kuptohet se kjo telenovelë pritet të marrë fund me transferimin e Muçit te Trabzonspoor.
Muçi ka firmosur një akord paraprak me klubin që në verën e kaluar, që nëse transferimi do të bëhej zyrtar në vitin 2026, ai do të kishte kontratë deri në verën e vitit 2029 me klubin e qytetit të Trabzonit.
