Futbolli shqiptar dhuron në vazhdimësi absurditete nga më të ndryshmet, të cilat krijojnë situata të çuditshme që kanë zbehur shpesh bukurinë e tij. Formula e aktiviteteve është një nag arsyet, pasi kushdo që i ka menduar si të suksesshme, nuk ka bërë llogaritë me pasojat.
Shembullin më të mirë e sheh te klubi i Dinamos, i cili në dy vitet e fundit llogarit shifrën e pabesueshme të 26 ndeshjeve të luajtura vetëm kundër dy ekipeve, Vllaznisë dhe Egnatias.
Me Vllazninë, Dinamo luajti në sezonin 2024-2025 4 ndeshje në kampionatin e rregullt, plus nëj tjetër në “Final 4” si dhe 2 sfida në gjysmëfinalet e Kupës. Në edicionin aktual, ka luajtur 4 ndeshje në kampionat, 2 në gjysmëfinalet e Kupës, si dhe do të ketë një ndeshje tjetër me shkodranët në Final 4. Në total, 14 takime në dy sezone.
Situata është paksa më ndryshe me Egnatian, por me shifra përsëri shumë të larta. Në sezonin 2024-2025, skuadrat luajtën 4 ndeshje si kundërshtarë në sezonin e rregullt, e pastaj u takuan edhe në finalen e Kupës. Në sezonin aktual, përveç 4 ndeshjeve të sezonit të rregullt, janë përballur edhe për Superkupën, do të luajnë ndaj njëra-tjetrës edhe në finalen e Kupës si dhe në Final 4. Në total, janë 12 takime në dy sezone.
Sado interesante të jenë sfida të tilla, përballja e vazhdueshme me këtë frekuencë mes dy ekipeve bën që të zbehet interesi për ta. Dhe Dinamo, në dy vitet e fundit, praktikisht ka luajtur kundër Vllaznisë ose Egnatias çdo muaj. Kush ka ndërtuar formulën e aktiviteteve, sigurisht që nuk e kishte menduar një gjë të tillë
