Emisioni Vetting

Durrësi nën ujë, dështimet që vrasin
Nëse viti i ri 2026 u prit me fishekzjarre e hare, në fakt në Durrës nisi me fatkeqësi natyrore dhe tragjedi, pasi vetëm pak ditë pas ndërrimit të viteve, përmbytjet i morën jetën 54-vjeçarit, Astrit Hysenaj. Kryefamiljari ishte i punësuar në Ndërmarrjen Komunale Plazh pranë Bashkisë Durrës. I ndjeri ishte zgjuar atë ditë, për t’u bërë gati njësoj si ditët e tjera për të shkuar në punë, por reshjet e shiut nuk kishin të mbaruar. Pavarësisht reshjeve të shiut, ai do të punonte që në orën 6 të mëngjesit. Mirëpo, orët kaluan, orari i mbylljes së punës kishte ardhur, por Astriti nuk dukej në pragun e derës së shtëpisë. Familjarët pritën përsëri, me mendimin se mos ndërmarrja e ka dërguar diku me punë, por ende asgjë. Nata erdhi dhe familjarët u gjendën në polici për të bërë denoncimin.

Disa orë më vonë, polumbarët e kishin gjetur trupin e pajetë të 54-vjeçarit në urën pranë repartit ushtarak në Plepa, pasi rrjedha e kishte marrë me vete. Megjithatë, familja Hysenaj u përball me një tjetër goditje, pasi kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, deklaroi se i ndjeri nuk ishte në krye të detyrës gjatë kohës së përmbytjes, ndërkohë që familjarët thanë për mediat se kjo nuk ishte e vërteta.

Përtej kësaj tragjedie, ekspertët ngrenë shqetësime mbi mënyrën se si janë realizuar dhe funksionojnë investimet infrastrukturore në qytet. Sipas arkitektes Entela Koja, këto ditë janë të gjitha që provojnë gabimet inxhierike apo të mirat e investimeve dhe projekteve inxhienerike dhe ky hidrovori i ri nuk e përballoi dot, nuk e kaloi dot provën e forcë. “Aq më tepër, që me ndryshimet klimatike, vihet re që nuk ka reshje të shtuara, por ka reshje të mëdha që bien në njësi kohe dhe në kushtet e ndryshimeve klimatike, ti duhet të marrësh masa shtesë, të cilat nuk janë llogaritur në dekadat e mëparshme,” shton Koja.

Ky fenomen që rikthehet vazhdimisht, kërkon të nxjerrë në pah problematikat kryesore që hasin sidomos zonat e ish-Kënetës, Spitallës dhe Nishtullës, siç janë kanale të bllokuara, hidrovorë jofunksionalë, ndërhyrje të vonuara, mirëmbajtje të lëna pas dore dhe investime të premtuara në letra. Ndaj në këtë pikë lind nevoja për të parë më nga afër se si janë menaxhuar këto investime, duke u ndalur konkretisht te një nga projektet kryesore, siç është ai hidrovorit të ri të Porto Romanos.

Në këtë linjë, edhe zëra nga aktivistë theksojnë problemet konkrete në terren. “Në gjetjet e mia, fakti kryesor që Durrësi është përmbytur ka qenë mosfunksionimi i hidrovorit, pra hidrovorit të ri, i cili është i ndërtuar në kushte jo normale dhe së dyti, është mosfunksionim i hidrovorit të vjetrit. Prej momentit që ka funksionuar hidrovori i vjetër, qyteti i Durrësit nuk është përmbytur më”, shprehet aktivisti Shyqyri Myrtollari.

Dëmshpërblime të munguara dhe premtime të pambajtura
Në periudhën kohore janar-shkurt të vitit 2018, ndodh një përmbytje tjetër në qytetin bregdetar të Durrësit dhe kështu, mbi 150 familje në zonën e Porto-Romanos, zonë kjo që njihet për përmbytjet, u prekën nga pasojat e kësajt fatkeqësie natyrore. Në atë kohë u shpall emergjenca civile, çka do të thotë se për këto 150+ familje, do të jepeshin dëmshpërblime, në mënyrë që dalëngadalë jeta e tyre t’u rikthehej. Megjithatë, nuk ndodhi ajo çfarë dëshironin këto familje, rast ky që vazhdon të mbetet në pritje ende sot e kësajt dite.

Kështu, nga strukturat përkatëse të verifikimit në terren janë verifikuar dëmtime për 167 familje, të cilët duhet të përfitonin dëmshpërblime. Kjo listë u konfirmua edhe nga Këshilli i Qarkut Durrës në atë kohë, por nuk u miratua nga ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatuan se në të vërtetë është dërguar vetëm një listë prej 44 familjesh përfituese e dëmshpërblimit dhe nuk u paraqit asnjë argument ligjor apo nënligjor, se pse pikërisht këto familje ishin përfituese dhe të tjerat jo.

Pra, vlerën e gati 7 milionë lekëve të reja për familjet e dëmtuara do e përfitonin 44 familje, me arsyen se vetëm këto ishin më në nevojë se të tjerat. Po ashtu, këto institucione u shprehën në vazhdim nuk kishin më fonde për këtë fatkeqësi, pasi fokusi tashmë ishin pasojat e tërmetit të ndodhur në vitin 2019. Në vitin 2019 u miratua ligji i cili detyronte instancat që të ruanin një pjesë të buxhetit të tyre, rreth 4% për situatë emergjente dhe për dëmshpërblime. Sipas KLSH-së, Bashkia Durrës duhej t’i kishte parashikuar masa të tilla dhe t’i përdorte këto shuma parash për të dëmshpërblyer banorët e Porto Romanos. Megjithatë, në vijëmësi, historia mori rrjedha të tjera por thelbi mbeti i njëjti.

Fonde publike dhe ndryshime në destinacion
Duke nisur kështu, që nga marsi i vitit 2019, me vendimin nr. 170, u vendos për shpërndarjen dhe detajimin e fondit prej gati 1, 12 miliardë lekësh ose ndryshe thënë, 9, 12 milionë euro (me kursin e këmbimit të asajt kohe), për menaxhimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit. Kjo shumë parash u firmos me nënshkrim të kryeministrit Rama, duke ia lënë përgjegjësinë e menaxhimit Ministrisë së Bujqësisë, Financës dhe Ekonomisë së asajt kohe, në bashkëpunim me bashki të ndryshme të Shqipërisë. Megjithatë, lista e bashkive përfituese të këtij fondi u ndryshua nëntë muaj më vonë dhe shuma u rrit në vlerën e 1, 8 miliardë lekëve, ndryshe 14, 66 milionë euro.

Për bashkinë Durrës për vitet 2019-2020, u dhanë tre pjesë nga ky fond për rehabilitimin e digësë së ujëmbledhësit Arapaj 1 dhe të Spitallës në vlerën e afro 50 milionë lekëve, si dhe për argjinaturën mbrojtëse të Zalli Sines në vlerën e 45 milionë lekëve. Midis këtyre fondeve, ishin dhe pjesë e investimeve të ardhura nga buxheti i shtetit dhe financimet për hidrovorin Durrësit. Sipas ekspertëve, me vendimin nr. 775, të datës 30.09.2020, u caktua një fond nga Ministria e Rindërtimit në vlerën e gati 51, 6 milionë lekësh për financimin e hartimit të projekt preventivit dhe riforcimin e hidrovorit në Durrës, pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019.

Megjithatë, gjashtë muaj më vonë, vendimi i mëparshëm mori drejtim tjetër.
Kështu, nga një projekt me fonde të rindërtimit për riforcimin e hidrovorit, u kthye në një projekt më të gjerë që përfshinte hartimin e studimeve për rehabilitimin e rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit.

Tendera dhe proces i kontestuar
Sipas ekspertëve, këtu ngrihet dyshimi se ky vendim erdhi dhe lidhet pas hartimit të planeve për kthimin e Portit të Durrësit në zonë për ndërtimin e marinës, ndërtime hotelesh, si dhe zhvendosjes së Portit të Durrësit në Porto Romano, për t’u cilësuar në vazhdimësi si një port kryesor për transport mallrash.

“Mënyra se si është bërë dhe kostot e larta, vënë në dyshim që projektet janë bërë në mënyrë të përciptë dhe gati-gati, të pasakta dhe ne e marrim legjimitetin për të thënë këtë, për provën në ngarkesë që qyteti jo vetëm që u përmbyt për herë të parë, qyteti vazhdon të përmbytet sistematikisht në prurjen e parë që vjen në qytet. Madje, ka filluar të ketë një përmbytje mbi atë niveli që ka patur më parë. Pra, n.q.s., ju keni diskutuar për zëvëndësimin e hidrovorit nga një hidrovor te tjetri, minimalisht nuk duhet të kishim një përmbytje të këtij niveli, por ndodh e kundërta”, shpjegon arkitekte Entela Koja. Në këtë mënyrë, u krijua nevoja për ndërhyrje në rrjetin e kullimit dhe sistemimin e ujërave në këto zona.

Duke vazhduar dy muaj më vonë, në maj të vitit 2021, Bashkia Durrës prokuroi një tender të kufizuar, me idenë e procesit të rindërtimit, ku objekt kryesor ishte përsëri rehabilitimin e rrjetit të kullimit për zonën e Porto-Romanos-Kënetë dhe sistemi i ujërave të shiut në zonat urbane të Durrësit. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, ky program rindërtimi përmbante vlerën e kontratës prej 87 milionë lekësh dhe u fitua nga kompanitë “INVICTUS”, “ANGERBA”, “TOWER” më 17 qershor të vitit 2021, ndërsa nënshkrimi i kontratës u bë më 22 qershor 2021.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ekspertët ngrenë dyshimin mbi këtë tender, pasi argumentojnë se procedura mund të ketë qenë e paramenduar dhe fituesi i parazgjedhur, pasi sipas tyre vërtetohet me faktin se kontrata nr. 4929/15 është lidhur më datë 22.06.2021, ndërkohë që theksojnë se detyra e projektimit, sipas praktikave normale në Shqipëri, duhej të ishte përcaktuar dhe e publikuar në fazën e shpalljes së tenderit të konsulencës.

“Paraqitja e projektit nuk është e mundur, se projekti do një kohë elementare për t’u bërë, tregon që shpesh ose ka një nxitim të madh për të bërë një investim dhe kjo ka anashkaluar ekspertizën e saktë ose projektet janë të bëra paraprakisht, me fonde të përcaktuara, me studio konsultive të përcaktuara. Kur një studio vendoset përpara sfidës së aprovimit, pra që do t’i aprovohet apo jo një projekt, i sheh mirë të gjitha elementët e projektit”, thotë më tej arkitekte Koja.

Nga ana tjetër, bashkia Durrës më 12 korrik të vitit 2021, pra 20 ditë pas lidhjes së kontratës, miratoi në Këshillin Bashkiak me propozim të Emiriana Sakos, vendimin e dhënies së përgjegjësisë Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e hidrovorit. Ndërkohë që dorëzimi i punës, pra marrja në dorëzim nga bashkia është bërë më datë 14. 07. 2021, vetëm dy ditë pas miratimit në Këshillim Bashkiak, sipas ekspertëve.

Këta të fundit ngrenë pikëpyetjen se si mundet që një zgjidhje inxhinierike, përpunimi i dokumentacionit teknik, preventiv si spostimi i gjurmës së një vepre si hidrovori të konsumojë vetëm një ditë kalendarike. Përgjigja e tyre mbështetet ende në dyshimin se çdo hap ka qenë i paramenduar.

Kosto në rritje dhe projekte në dyshim
Tre muaj më pas, u shpall tenderi final për ndërtimin e hidrovorit të ri, në vlerën e gati 23 milionë eurove me TVSH. Mirëpo, kjo vlerë ishte rreth 8 milionë euro më shumë se projekti dhe preventivi i miratuar nga Këshilli Bashkiak disa muaj më parë, në vlerën e gati 15 milionë eurove. Një argument tjetër i ekspertëve që e ushqen dyshimin se çdo gjë ka qenë e paracaktuar, është edhe fakti se në relacionin që shoqëron vendimin nr. 87, të korrikut 2021 të Këshillit Bashkiak Durrës, gjurma, pra vendndodhja e hidrovorit dhe mënyra se si do të ndërtohet projekti, është vendosur nga vetë operatori ekonomik “INVICTUS” sh.p.k., i cili është edhe fituesi i tenderit me ofertën e tij prej 82 milionë lekësh pa TVSH. Në një procedurë standarte, këto elementë përcaktohen nga institucioni publik përpara shpalljes së tenderit nga një grup teknikësh, specialistësh, çka ngre pikëpyetje këmbëngulëse se si është zhvilluar ky projekt.

“Këto elementë të gjetura në kontradiktë brenda të njëjtës procedurë tregon që projekti nuk ka patur kohën e domosdoshme për të verifikuar faktet, mirëpo kjo vjen me një kosto të lartë, jo vetëm risistemimi por vjen me një kosto të lartë, e cila nuk dihet edhe sa kohë do ta paguajë qyteti nqs nuk i jepet një zgjidhje imediate”, rrëfen arkitekte Entela Koja.

Një tjetër problem vjen edhe nga fakti se ka patur ndryshime nga ana administrative e bashkisë, pasi në relacionin që shoqëron Vendimin e Këshillit Bashkiak me numër 87/2021, teknikët shprehen se: “Pika e shkarkimit e zgjedhur është në skajin verior të Portit të Ri dhe është në një zonë të detit me thellësi relativisht të madhe që ka dhe një vetëpastrim më të madh të ujit të detit. Gjithashtu duhet të theksojmë që në këtë zgjidhje godina është me e sigurtë dhe kostoja dhe koha e ndërtimit është relativisht e vogël.”

Ndërkohë, në dokumentet e tenderit për realizimin e punimeve, kompania “INVICTUS” sh.p.k. në relacionin e saj teknik shprehet se: “Zona e parashikuar është një zonë e mbyllur dhe nuk ka qarkullim të ujërave, kësaj situate i shtohet dhe prezenca e ujërave të zeza që do të shkarkojë hidrovori në këtë zonë, duke rritur në shkallë të mëtejshme të ndotjes së zonës së akuatoriumit.”

Kjo do të thotë se zona ku parashikohet të shkarkohen ujërat është e mbyllur dhe nuk ka qarkullim natyror. Kështu, si pasojë, ujërat e shkarkuara, të përziera edhe me ujëra të ndotura, rrezikojnë të grumbullohen dhe të rrisin ndotjen në këtë zonë. Po ashtu, kjo do të vështirësojë lëvizjen e anijeve ushtarake, duke kërkuar mirëmbajtje të vazhdueshme për pastrimin e kësaj zone.

“Një herë ky park nuk është funksional sepse është bërë midis dy varrezave të qytetit të Durrësit por nga ana teknike, ky kanal i cili është mbyllur nuk ka arritur të presë ujërat, që vinë sipër nga kodrat dhe mbyllja e tij ka bërë të mundur që të përplasen me zonën e Spitallës duke fryrë kanalet e tyre kulluese. Duke bashkuar edhe mosfunksionimi i hidrovorit të ri dhe hidrovorit të vjetër, gjithashtu dhe prurjeve që kanë ardhur nga lagjet e tjera të qytetit, ka bërë që të bëhet një përmbytje e madhe”, shpjegon aktivisti Shyqyri Myrtollari.

Shkelje procedurale dhe pikëpyetje ligjore
Përpos problematikave infrastrukturore, të dhënat e “Vetting” tregojnë edhe një sërë paqartësish dhe dyshimesh mbi mënyrën se si është zbatuar nga teoria në realitet projekti i hidrovorit të ri në Durrës. Referuar të dhënave, për hidrovorin është lëshuar një leje infrastrukture me vendimin numër 2868, të datës 10 shkurt 2022, nga vetë kryetarja e Bashkisë së Durrësit. Nga ana tjetër, ky projekt i tenderuar në fillim me fonde publike të rindërimit për shkak të tërmetit, tanimë ka leje infrastrukturore, duke bërë kështu që të ngrihen pikëpyetje nëse kjo leje është në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Bëhet fjalë konkretisht për VKM-në numër 887/ 2019, e cila parashikon procedura të posaçme për ndërtimet në zona të prekura nga fatkeqësitë.

Po ashtu, një tjetër element që vihet re në mënyrën se si është proceduar me projektin e hidrovorit është edhe koha e dhënies së lejes së ndërtimit. Sipas të dhënave të “Vetting”, kontrata për realizimin e projektit është lidhur më datë 19 janar 2022, ndërsa leja e ndërtimit është dhënë më 10 shkurt 2022 nga Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Durrës. Ky rend kronologjik rrit dyshimin mbi mënyrën se si është zbatuar projekti, pasi sipas asajt çfarë përcakton VKM-ja numër 408/2015, leja e ndërtimit duhet të merret përpara nisjes së punimeve. Ndërkohë që nga dokumentet publike, nuk është e qartë se kur kanë nisur konkretisht punimet në terren.

Përveçse kësajt, një nga kushtet kryesore për dhënien e lejes është edhe dokumentacioni që vërteton pronësinë e tokës. Në rastin tonë konkret, sipas ekspertëve rezulton se procesi i shpronësimit nuk është kryer në kohën e duhur, pasi vendimi për shpronësimin është miratuar në periudhën e dhjetorit të vitit 2022, ndërkohë që ka indicie se punimet për hidrovorin kanë nisur më herët.

“Është shumë e rëndësishme që këtë ta ndjeki grupi i ekspertëve sepse urbanistika është një shkencë shumë komplekse. Nuk përfshin vetëm inxhinierë, por janë edhe sociologë, ambientalistë, etj., i cili duhet të japi secili mendimin e vet që në fund të arrihen konkluzione zhvillimi, që të mos ketë kosto si në rastin e hidrovorit të Durrësit”, shprehet arkitektja Entela Koja.

Pasqyrimi i realitetit
“Vetting” u gjend në terren për të parë më shumë se në çfarë gjendje ndodhet qyteti bregdetar i Durrësit, dy muaj pas përmbytjeve të fundit. Ajo çfarë u vu re, ishte se edhe pas ditëve të fundit ku ka patur reshje të lehta shiu, disa pjesë të kanalizimeve të qytetit ishin të bllokuara, duke lejuar kështu që uji rrinte në sipërfaqe dhe të mblidhte sa më shumë pluhra, papastërti dhe mbeturina. Në disa kanale madje u gjendën dhe kallamishte. Kjo bimë, siç mund ta dimë ka tendenca të rritet më shumë në vende, që nuk janë pastruar prej kohësh, siç janë kanalet e ujit të braktisura, toka të lagështa apo kënetore, apo aty ku uji rrjedh ngadalë, ngec dhe në zona pa mirëmbajtje. Përpos tyre, ujërat e mbledhur kishin formuar një ngjyrë të gjelbërt karakteristike, me një aromë të fortë, e cila të tregonte që aty kishte filluar të formohej një ekosistem i pakontrolluar.

Megjithatë, pas gjithë ngjarjeve të ndodhura dhe të përsëritura, më në fund Prokuroria e Durrësit mori përsipër të hetojë më shumë në lidhje me çështjen e përmbytjeve. Më 8 janar të vitit 2026, prokuroria nxorri një njoftim për mediat ku tha se ka regjistruar një procedim penal për tre veprat penale si “Shpërdorim i detyrës”, “Shkatërrim i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrim i pronës nga pakujdesia”.

Nga raportimet, kjo instancë përfshiu dhe dosjen e ndërtimit të hidrovorit, projekt ky që ka kushtuar 19 milionë euro, i reklamuar si i nevojshëm pas pasojave të ardhura nga tërmeti i vitit 2019, por në rastin e përmbytjeve ka patur indicie se nuk ka qenë funksional, duke shkaktuar kështu përmbytje të përsëritura.

Pasojat e përmbytjeve nuk lidhen vetëm me reshjet e shumta, por edhe me menaxhimin e dobët të fondeve, të fshehura pas titullit si investime të nevojshme infrastrukturore. Përpos këtyre, përfshihen edhe procedurat e ndjekura në tenderë apo zbatimin e tyre në projektin e hidrovorit, të cilat dita-ditës nxjerrin në pah rradhën e problematikave ligjore dhe administrative.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb