Konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijon të përshkallëzohet, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për programin bërthamor iranian. Përmes një postimi me tone ironike, Baghaei përdori një referencë nga filmi klasik anti-luftë Dr. Strangelove i regjisorit Stanley Kubrick, duke tallur deklaratat e Trumpit mbi mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak.

Reagimi erdhi menjëherë pasi Trump deklaroi se koha po mbaronte që Irani t’i përgjigjej propozimit të fundit amerikan për programin bërthamor dhe armëpushimin.

Baghaei e cilësoi “absurd” pretendimin e Uashingtonit se po kërkon paqe, ndërkohë që paralajmëron bombardime. “Është absurde që ata të pretendojnë se po kërkojnë paqe dhe po parandalojnë një krizë bërthamore, ndërsa zgjidhja e tyre e propozuar është ‘një shkëndijë e madhe’”, shkroi ai, duke iu referuar deklaratës së Trumpit se nëse armëpushimi dështon “do të pasojë vetëm një shkëndijë e madhe”.

Më tej, diplomati iranian u bëri thirrje ndjekësve të shohin filmin “Dr. Strangelove”, një satirë e njohur mbi paranojën bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë. Përplasjet verbale mes dy vendeve vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa administrata Trump ka vendosur si kusht për përfundimin e konfliktit kufizimin e programit bërthamor iranian. Nga ana tjetër, Irani vijon të këmbëngulë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe jo ushtarake.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: