Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka shprehur edhe më tej kritikat ndaj lidershipit aktual të Partisë Demokratike, duke akuzuar Sali Berishën për mbyllje të garës dhe deformim të proceseve brenda partisë.

Gjatë një takimi me mbështetësit në Peshkopi, Salianji deklaroi se kandidimi i tij është bllokuar pa asnjë vendim formal, pasi sipas tij, Berisha kishte frikë nga humbja.

“Po përballemi me një lidership që mbyll garën. Në vend të hapjes kemi mbyllje. Ju e patë që kandidimi im u bllokua pa asnjë vendim formal”, tha ai.

Salianji u shpreh se nuk iu dha as “e drejta minimale” për të garuar, pasi sipas tij, një proces i hapur do të sillte energji të re dhe do ta kthente PD-në në forcë fituese.

“Nuk u dha as e drejta minimale për të garuar, sepse Berisha e di që me zgjedhje do e mundja, që energjia do ishte ndryshe dhe që PD do bëhej fituese”, deklaroi ish-deputeti demokrat.

Ai e cilësoi këtë situatë jo vetëm si padrejtësi personale, por si deformim të Partisë Demokratike në favor të kryeministrit Edi Rama.

“Kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj një individi, por deformim i procesit për t’i shërbyer Edi Ramës”, tha Salianji.

Më tej, ai kritikoi Berishën për mosdorëheqjen pas humbjeve elektorale, duke e konsideruar këtë mungesë përgjegjësie politike.

“Mosdorëheqja e tij pas humbjes tregon mungesë përgjegjësie dhe mosrespektim të rregullave të PD-së”, u shpreh ai.

Salianji përdori edhe një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kreut të demokratëve.

“Kur Berisha nuk më mund dot mua duke pasur të gjitha, si do e mundë Edi Ramën?”, deklaroi ai.

Sipas Salianjit, përjashtimi i zërave kundër dhe kontrolli i partisë për interesa personale po e çojnë Partinë Demokratike drejt tkurrjes.

“Po tkurrin PD për interesa personale. Me këtë rrugë do ta shuajnë PD-në, por ne nuk do ta lejojmë”, tha ai.

Salianji kërkoi hapjen e partisë, lejimin e fraksioneve dhe respektimin e mendimit ndryshe.

“Të hapim partinë, të lejojmë garën dhe fraksionet, të respektojmë mendimin ndryshe dhe të ndërtojmë përfaqësim real. Shqipëria nuk meriton të jetë ende në tranzicion. Ky do marrë fund kur të ndryshojnë dinosaurët që mbajnë peng PD-në”, përfundoi Salianji.

Ervin Salianji: Lidershipi mbylli garën, kontrollon proceset dhe mbron interesat personale të veta. Në vend të hapjes kemi mbylljen, në vend të konkurrencës tentohet përjashtim, në vend të rregullave arbitraritet.
Pavarësisht një fushate 5-mujore në të gjithë vendin dhe mbështetjes së gjerë që kemi nga anëtarësia, ju e patë
që kandidimi im u bllokua pa asnjë vendim formal, nuk u dha as e drejta minimale për të garuar sepse Sali Berisha e di siç e di e gjtihë Shqipëria që me zgjedhje unë do ta mundja, që energjia në të gjithë Shqipërinë do të ishte ndryshe, që PD do të bëhej fituese. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi që i bëhet një individi, por deformimi i procesit për t’i shërbyer Edi Ramës.

Ai është pengesë për ndryshimin. Shkelja hapur e statutit dhe premtimeve që i ka dhënë edhe këtu në Dibër, për mosdorëheqjen pas humbjes tregon qartë mungesë përgjegjshmërie dhe refuzim të rregullave bazë mbi të cilat funksionon një parti politike. Shumë me të drejtë do të thonë atë që po them unë këtu, kur Sali Berisha nuk më mund dot mua duke patur listën, burimet financiare, mediat, regjimin, si do ta mundësh Edi Ramën o zotëri?! Se sikur të mos mjaftojnë këto, përjashton të gjithë kundërshtarët, të gjithë zërat ndryshe. Duan ta shuajnë PD-në, por ne nuk do ta lejojmë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb