Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar nga Peshkopia pasi u përjashtua nga gara për kreun e Partisë Demokratike, duke deklaruar se do të vijojë takimet me demokratët në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Salianji tha se asnjë vendim nuk do ta ndalë lëvizjen që ai ka nisur brenda PD-së.
“Asgjë nuk do na ndalë ne. Do vijojmë takimet në gjithë Shqipërinë, njerëzit po na presin, demokratët po na presin”, deklaroi ai.
Salianji u shpreh i bindur se Partia Demokratike mund të rikthehet fituese përmes ndryshimit dhe hapjes ndaj demokratëve.
“Do e bëjmë PD fituese, do i japim Shqipërisë një model tjetër”, tha ish-deputeti demokrat.
