Milan po përjeton situatën më të vështirë të sezonit. Humbja ndaj Atalantës të dielën, ishte e dyta radhazi për kuqezinjë, që tashmë shohin ti rrezikohet ndjeshëm edhe objektivi sezonal, ai për pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm. Një ekip i demotivuar, pa ide me lojtarët kryesorë që janë plotësisht jashtë forme, por çfarë është më e keqja me tifozët kuqez që i kanë dalur hapur kundër drejtuesëve më të lartë të klubit, duke kërkuar largimin e tyre si përgjegjësit kryesorë të situatës që skuadra e tyre e zemrës po kalon.
Nëse Milan nuk ia del të luajë në Champions sezonin e ardhshëm, ky do të ishte një dështim i madh, që me shumë gjasa do të shoqërohej nga një revolucin në shtëpinë e “djallit”. Megjithatë Milan mbetet në vendin e 4 me 67 pikë sa ka edhe Roma dhe objektivi sipas teknikut Allegri është ai për të fituar dy ndeshjet e mbetura ato ndaj Genoas dhe Cagliarit
“I shqetësuar? Është e kotë të flasim për atë që ka ndodhur deri tani, sepse nuk mund ta ndryshojmë më. Duhet vetëm të bëjmë një javë të mirë pune dhe të përgatitemi sa më mirë për sfidën kundër Genoas, e cila mund të jetë vendimtare në garën për Champions League. Askush nuk do ta kishte pritur këtë moment të vështirë. E imagjinoja që gjatë sezonit do të vinte një periudhë e tillë, por tani duhet përballuar me ndjenjë përgjegjësie.
Ndërkohë i shqetësuar për situatën që Milan po kalon u shpreh edhe Drejtori Sportiv, Igli Tare:
“Është thelbësore të ruajmë qetësinë dhe kthjelltësinë. I pranojmë kritikat, sepse janë të drejta, por tani duhet të reagojmë. Ndoshta mund ta analizojmë gjithçka me disa ditë grumbullim, duke u mbledhur së bashku pak më herët. Në ndeshjet e fundit ka munguar tensioni dhe përqendrimi i duhur. Nuk mund të fshihemi, duhet të marrim përgjegjësitë tona. Megjithatë, fati është ende në duart tona. Duhet të analizojmë atë që ka ndodhur gjatë gjashtë javëve të fundit dhe të përqendrohemi te vazhdimësia.”
