Babai i 21-vjeçares që pretendon se është ngacmuar seksualisht nga mjeku kirurg N. Nunka në Korçë, i arrestuar tashmë nga policia, ka rrëfyer momentet e përjetuara nga familja e tij, duke kërkuar drejtësi për vajzën. Sipas tij, gjithçka nisi pasi familja kishte ardhur nga Gjermania për pushime në Shqipëri dhe vajza shfaqi probleme shëndetësore.
“Kam bërë mbrëmë një denoncim për vajzën time për ngacmim seksual. Kishim dy javë që kishim ardhur nga Gjermania. Vajza kishte të vjella dhe dhimbje stomaku. Pas analizave në spital, mjekët thanë se kishte apandesit dhe u fut në operacion,” tregoi ai.
Babai pretendon se pas ndërhyrjes kirurgjikale, mjeku Niko Nunka ka kryer veprime të papërshtatshme ndaj vajzës gjatë trajtimit.
“Vajza më tha se doktori i vinte duart, i aplikonte krem dhe kishte tentuar edhe ta puthte. Madje i kishte kapur fytyrën. Kur ia vendoste kremin, i thoshte nënës sime të mos shikonte nga ajo anë,” deklaroi ai.
Sipas babait, vajza nuk kishte folur më herët nga frika se mos shkaktonte konflikt. “Ajo më tha se ishte rast i përsëritur, por nuk më kishte treguar sepse kishte hall mos bëja sherr. Vetëm ditën e fundit mora vesh çfarë kishte ndodhur dhe lajmërova menjëherë policinë,” tha ai.
Ai hodhi akuza edhe ndaj sistemit shëndetësor, duke pretenduar se kishte paguar para në dorë për trajtimin e vajzës. “Po e them hapur që i kam dhënë edhe lekë në dorë doktorit. Kërkoj drejtësi dhe që ai të marrë dënimin maksimal. Më kanë thënë se ka pasur edhe raste të tjera,” u shpreh babai i të resë. 21-vjeçarja ndodhet aktualisht në shtëpi dhe sipas familjarëve është në gjendje të rënduar psikologjike pas ngjarjes. Babai deklaroi se nuk do të largohet nga Shqipëria pa u zbardhur çështja dhe paralajmëroi se do të ndjekë rrugët ligjore edhe jashtë vendit.
