Të shtunën Shkëndija siguroi pjesëmarrjen në garat europiane, pas atij suksesi përballë Strugës. Klubi shqiptar i Maqedonisë së Veriut, ka bërë së fundmi një postim në rrjetet sociale, ku shprehet krenar për këtë arritje. Ndër të tjera, Shkëndija nuk lë pa përmendur edhe faktin se janë arritur objektivat sezonal.
Postimi:
Sezoni 2025/26 tashmë mbetet historik me paraqitjen dhe “pranverën europiane” në UEFA Conference League. Klubi mbetet i përkushtuar të luftojë për trofetë deri në fund, duke kërkuar njëkohësisht më shumë korrektësi dhe eliminim të gabimeve që ndikojnë në garë dhe rezultate.
Fitorja e së shtunës përballë Strugës në Tetovë, në kuadër të xhiros së 31-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, edhe matematikisht i ka siguruar KF Shkëndija pjesëmarrjen në garat europiane për sezonin e ardhshëm.
Ky sukses vjen si vazhdimësi e një stabiliteti dhe pune shumëvjeçare, pasi për herë të 14-të radhazi, që nga ardhja e kompanisë Ecolog në klub, Shkëndija arrin të sigurojë daljen në Europë, duke konfirmuar seriozitetin dhe vazhdimësinë e projektit sportiv të klubit.
Kur nisi sezoni 2025/26, klubi kishte vendosur tri objektiva kryesore: paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare, sigurimin e një vendi në Europë edhe për sezonin e ardhshëm dhe luftën për trofetë vendorë. Sot, pjesa më e madhe e këtyre objektivave tashmë është realizuar.
Ky edicion do të mbetet i veçantë në historinë e klubit tonë dhe futbollit vendor, pasi Shkëndija për herë të parë luajti në fazën e ligës së UEFA Conference League, duke avancuar edhe në fazën “play-off” përballë Samsunspor. Për herë të parë, një klub nga vendi ynë siguroi edhe “pranverën europiane”, duke vazhduar garat ndërkombëtare edhe gjatë muajit shkurt.
Ndërkohë, skuadra mbetet plotësisht e fokusuar edhe në dy xhirot e fundit kampionale dhe në finalen e Kupës kundër Sileksit, me motivin maksimal për të luftuar deri në fund për çdo trofe të mundshëm vendor.
Në të njëjtën kohë, si klub ndjejmë obligim të theksojmë se gjatë këtij rrugëtimi ka pasur situata dhe vendime që sipas vlerësimeve tona kanë ndikuar në ndeshje të caktuara dhe në rrjedhën e garës. Pikërisht për këtë arsye, KF Shkëndija mbetet e hapur dhe ofron bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet relevante, me qëllim që në të ardhmen garat të vendosen ekskluzivisht në fushën e blertë, përmes meritës sportive, korrektësisë dhe fair-play-it.
Me këtë rast, KF Shkëndija falënderon të gjithë ata që gjatë këtij sezoni historik kanë qenë pranë klubit, tifozët, bashkëpunëtorët, partnerët, mediat dhe çdo mbështetës që ka kontribuar në këtë rrugëtim që tashmë mbetet pjesë jo vetëm e historisë së Shkëndijës, por edhe e futbollit të vendit tonë.
Sezoni ende nuk ka përfunduar. Para nesh mbeten sfida të rëndësishme dhe Shkëndija do të vazhdojë të luftojë deri në fund me të gjitha forcat për trofetë që janë ende në lojë.
