Avionët e forcave ajrore nigeriane goditën një treg të frekuentuar në shtetin Zamfara, në pjesën veriperëndimore të vendit, të dielën, duke vrarë të paktën 100 civilë, tha Amnesty International.

“Autoritetet nigeriane duhet të hetojnë sulmin e tmerrshëm ajror që vrau të paktën 100 civilë dje në tregun Tumfa në zonën Zurmi të shtetit Zamfara”, tha Amnesty International.

Sipas të njëjtit burim, avionë luftarakë u panë duke fluturuar mbi treg rreth orës 12:00 të mesditës së së dielës dhe u kthyen dy orë më vonë për ta bombarduar atë.

Dëshmitarët okularë thanë se midis të vdekurve kishte fëmijë dhe gra.

Dega nigeriane e Amnesty International thekson në një deklaratë se në prill një masakër e ngjashme ndodhi në një treg në komunitetin Gili, në kufijtë administrativë të shteteve Borno dhe Yobe. Më shumë se 100 civilë humbën jetën atëherë për shkak të sulmeve ajrore që kishin si qëllim të deklaruar eliminimin e xhihadistëve të Boko Haram.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb