Deputeti i PD,  Belind Këlliçi ka akuzuar qeverinë se po përdor procesin e integrimit europian për propagandë politike, ndërsa sipas tij mungon transparenca dhe llogaridhënia për qytetarët. Në një reagim pas seancës së zhvilluar në Komisionin e Jashtëm, Këlliçi u shpreh se diskutimet nuk i shërbyen procesit të integrimit, por sulmeve ndaj opozitës dhe mbulimit të dështimeve të qeverisë.

“Seanca e sotme në Komisionin e Jashtëm shërbeu për të kuptuar të vërtetën e qeverisë lidhur me integrimin, e cila bazohet në dy elemente; propagandë dhe sulm e shpifje ndaj opozitës”, deklaroi ai.

Sipas deputetit demokrat, qytetarëve nuk po u thuhet e vërteta mbi vonesat në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, sidomos për grup-kapitullin që lidhet me shtetin ligjor.

Këlliçi ngriti akuza edhe ndaj kryenegociatores Majlinda Dhuka, duke pretenduar se raportimi i saj nuk solli transparencë për publikun.

Ai lidhi vonesat në procesin e integrimit me vendimet e maxhorancës në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron aferat korruptive dhe po pengon drejtësinë, duke iu referuar kështu rastit “Balluku”. “Integrimi po mbahet peng nga Edi Rama. Korrupsioni i tij dhe mbrojtja me imunitet ekstra para drejtësisë janë akte që BE nuk i pranon”, u shpreh Këlliçi.

Reagimi i plotë

Një seancë që ndihmon propagandën, jo integrimin!
Seanca e sotme në Komisionin e Jashtëm shërbeu për të kuptuar të vërtetën e qeverisë lidhur me integrimin, e cila bazohet në dy elemente; propagandë dhe sulm e shpifje ndaj opozitës.
Me propagandën, fshihen faktet dhe nuk bëhet transparencë, mbahet në këmbë gënjeshtra e madhe elektorale me të cilën ushqehen qytetarët më të varfër të Europës.
Dhe si gjithnjë, për të mjegulluar dështimet, duhet gjetur një fajtor e duhet goditur, siç po bën Edi Rama me Opozitën.
Edhe kryenegociatorja Dhuka që ishte sot në këtë seancë “llogaridhënieje”, nuk ka si del nga skema e qeverisë dhe e kryeministrit. Në raportin e dorëzuar dhe në shpjegimet që dha aty, publiku dhe qytetarët nuk mësojnë të vërtetën që duhet të dinë.
Pse po shtyhet pa fund miratimi i grup kapitullit të parë që ka të bëjë me shtetin ligjor?!
Kjo shtyrje vendimi në Bruksel, nisi pikërisht kur me 12 mars Edi Rama me 82 kartona në Kuvend vendosi të mbrojë aferat e tij e të Belind Ballukut para drejtësisë.
Pyetet Edi Rama për këtë.
Pyetet Dhuka për këtë.
Qytetarët duan të dinë, se këto janë faktet, të tjerat janë dokrra.
Përgjigja është e njëjta. Fajin e ka Opozita!!!
Me seancën sot, kryenegociatorja i shtoi më shumë propagandë procesit, dhe nuk solli as transparencë, as mbajtje përgjegjësie, as respektim të interesit publik.
Integrimi po mbahet peng nga Edi Rama. Korrupsioni i tij dhe mbrojtja me imunitet ekstra para drejtësisë, janë akte që BE nuk i pranon.
Dhe për këto ai ka fajin dhe përgjegjësinë, historike madje!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb