Në mes të një krize të thellë politike në Britaninë e Madhe, qeveria e kryeministrit Keir Starmer pritet të përcaktojë sot prioritetet e saj legjislative përmes “Fjalimit nga Froni”, që do të mbahet nga Charles III në Parlamentin britanik, në një ceremoni tradicionale madhështore në Westminster. Ky ritual i rëndësishëm i jetës politike britanike shënon fillimin e një sesioni të ri parlamentar dhe shërben për të paraqitur projektligjet që qeveria synon të kalojë gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Fjalimi vjen pas disa ditësh të trazuara për Starmer, i cili po përballet me presion të madh brenda Partisë Laburiste. Sipas mediave britanike, 86 deputetë laburistë kanë kërkuar dorëheqjen e tij pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale, ndërsa katër ministra të kabinetit dhanë dorëheqjen të martën, duke thelluar krizën politike. Megjithatë, Starmer ka deklaruar se synon të “vazhdojë të qeverisë”, ndërsa 109 deputetë laburistë kanë firmosur një letër mbështetjeje për të, duke argumentuar se “nuk është momenti për të vënë në pikëpyetje udhëheqjen e partisë”.
Para ceremonisë në Westminster, kryeministri pritet të zhvillojë një takim me Sekretarin e Shëndetësisë, Wes Streeting, emri i të cilit është përmendur si një nga rivalët e mundshëm të Starmer. Në një deklaratë, zyra e kryeministrit theksoi se “bota është më e paqëndrueshme dhe më e rrezikshme se kurrë në historinë moderne”, duke iu referuar konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, të cilat sipas saj po kërcënojnë standardet e jetesës në Britani.
Mbreti Charles III do ta mbajë për herë të tretë “Fjalimin nga Froni” që prej ngjitjes në fron në vitin 2022. Ceremonia do të zhvillohet në Dhomën e Lordëve, ku monarku do të ulet në fronin e artë, me mbretëreshën Camilla pranë tij. Mediat britanike raportojnë se qeveria pritet të prezantojë më shumë se 35 projektligje, që do të përfshijnë çështje si shtetëzimi i industrisë së çelikut, energjia e gjelbër dhe emigracioni.
Një nga projektligjet më të debatueshme pritet të jetë ai për kufizimin e zbatimit të Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me synimin për të lehtësuar deportimet e emigrantëve. Gjithashtu, qeveria planifikon të kufizojë mjetet ligjore për azilkërkuesit, në një kohë kur numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez me gomone ka kaluar 200 mijë që nga viti 2018. Ceremonia shoqërohet me tradita shekullore. Para mbërritjes së monarkut në Parlament, rojet mbretërore kontrollojnë bodrumet për eksplozivë, një praktikë që daton që prej komplotit të vitit 1605 për hedhjen në erë të Parlamentit britanik.
