Zvicra po shqyrton mundësinë e blerjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore nga furnizues alternativë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se dorëzimi i sistemeve raketore “MIM-104 Patriot” do të vonohet edhe më tej për shkak të luftës në Iran.

Qeveria zvicerane bëri të ditur sot se do të shqyrtojë opsione të tjera, pasi afati i furnizimit me pesë sisteme “Patriot”, të porositura në vitin 2022, është shtyrë ndjeshëm.

Fillimisht, dorëzimi ishte planifikuar për periudhën 2026–2028, por afati kishte pësuar një shtyrje prej katër deri në pesë vitesh si pasojë e luftës në Ukrainë.

Sipas autoriteteve në Bernë, SHBA-ja ka njoftuar se konflikti në Iran do të sjellë vonesa të tjera dhe rritje kostosh, duke bërë që tani të pritet një shtyrje shtesë prej pesë deri në shtatë vitesh.

“Çdo alternativë do të sillte vonesa në dorëzim, si edhe kosto të konsiderueshme shtesë”, tha qeveria zvicerane.

Zvicra pret deri në fund të muajit përgjigje nga pesë furnizues të tjerë për sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi.

Sipas qeverisë, ofertat vijnë nga kompani me qendër në Gjermani, Francë dhe Korenë e Jugut ndërsa preferenca mbetet që sistemet të prodhohen në Evropë.

Këshilli Federal pritet të marrë një vendim për hapat e ardhshëm në muajt në vijim.

Në prill, qeveria zvicerane kishte deklaruar se anulimi i kontratës për sistemin “Patriot” ishte një nga opsionet e mundshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb