Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për aferën e projektit “Durrës Marina”, duke e cilësuar atë si një skemë me përfitime të mëdha financiare dhe rrezik për interesin publik.

Në një deklaratë për mediat, Cara u shpreh se projekti ka një vlerë që, sipas tij, tejkalon 3 miliardë euro, ndërsa pretendoi se janë falur edhe taksa në vlerën 231 milionë euro.

“Që prej vitit 2023, Partia Demokratike e ka mbajtur ndezur vëmendjen mbi aferën e ‘Durrës Marina’, një projekt që mban autorësinë politike dhe përfitimet direkte të Edi Ramës,” deklaroi Cara.

Sipas tij, ndërtimet në zonë rrezikojnë stabilitetin teknik, duke iu referuar studimeve gjeologjike dhe gjeomorfologjike të kryera nga kompani ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, kanë evidentuar kushte të vështira ndërtimi dhe nevojën për ndërhyrje të thella inxhinierike.

Deputeti i PD përmendi gjithashtu raportime mediatike dhe vlerësime teknike që, sipas tij, tregojnë ulje të strukturave të ndërtuara në zonë.

Ai tha se sipas një raporti të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm, ndërsa objekti 04 ulje prej 18 cm.

Cara kritikoi institucionet për mungesë të përcaktimit të përgjegjësisë, duke thënë se publikut nuk i është dhënë një përgjigje e qartë se kush mban përgjegjësi për problematikat e konstatuara.

“Institucionet nuk mund të kufizohen vetëm në verifikime, por kanë detyrimin ligjor të kontrollojnë dhe të mbajnë përgjegjësi për zbatimin e standardeve teknike,” u shpreh ai.

Partia Demokratike ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve në zonë, deri në kryerjen e një ekspertize të pavarur teknike, si dhe ndërhyrjen e institucioneve si Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK për hetimin e çështjes.

Sipas PD-së, “Durrës Marina” nuk është vetëm një projekt zhvillimor, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve dhe interesin publik.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,
Që prej vitit 2023, Partia Demokratike e ka mbajtur ndezur vëmendjen mbi aferën e ‘Durrës Marina’, një projekt që mban autorësinë politike dhe përfitimet direkte të Edi Ramës.
Kryeministri fali një aset kombëtar sikur të ishte pronë personale, me një vlerë që tejkalon 3 miliardë euro. Po ashtu, u falën edhe taksa në vlerën 231 milionë euro.
Si të mos mjaftonte përvetësimi i pronës publike, Shqipëria rrezikon të mbetet pa port funksional, duke humbur një nga avantazhet më të rëndësishme ekonomike dhe strategjike në rajon.
Denoncimet tona të mbështetura në fakte konkrete u injoruan. Që në fillim të këtij projekti kemi folur për dy studime gjeologjike dhe gjeomorfologjike të kryera nga kompani të njohura ndërkombëtare, kompania italiane Technital dhe kompania gjermane Sellhorn.
Këto studime kanë evidentuar se zona nuk paraqet kushte të zakonshme ndërtimi dhe se, për garantimin e qëndrueshmërisë strukturore dhe kapacitetit mbajtës të objekteve, është projektuar përdorimi i pilotave me diametër rreth 1.5 metra dhe thellësi deri në 45 metra.
Zëri ynë në mbrojtje të interesit publik nuk u dëgjua, derisa emisioni ‘Piranjat’ kreu së fundmi një vlerësim me dron inxhinierik dhe konstatoi se objektet e para të ndërtuara kishin pësuar ulje deri në 74 cm, duke vënë në rrezik sigurinë e investimit dhe jetën e qytetarëve.
Dje, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit publikoi një deklaratë zyrtare mbi qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy objekteve të projektit zhvillimor ‘Durrës Marina’. Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmoi se:
Objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm;
Objekti 04 ka pësuar ulje prej 18 cm.
Edhe pse grupi i inspektimit, i përbërë nga IKMT, AZHT, Instituti i Ndërtimit dhe Bashkia Durrës, kreu verifikimet dhe informoi publikun, në atë deklaratë mungonte përcaktimi i përgjegjësisë institucionale dhe teknike.
Në asnjë pjesë të deklaratës nuk përcaktohej se kush mban përgjegjësi për këtë problematikë, e cila nuk përbën thjesht një devijim teknik, por një rrezik potencial për jetën dhe pronën e banorëve.
Institucionet shtetërore nuk paguhen me taksat e shqiptarëve vetëm për të verifikuar denoncimet e medias, por kanë detyrimin ligjor të kryejnë kontroll të vazhdueshëm në terren, të monitorojnë zbatimin e standardeve teknike dhe të çojnë përpara përgjegjësisë administrative dhe penale çdo subjekt që abuzon me ligjin dhe sigurinë publike.
Sot, Partia Demokratike kërkon përgjigje për disa pyetje themelore:

A janë kryer raportet topografike, studimet gjeologjike, gjeomorfologjike dhe sizmike të zonës, të cilat janë detyrim ligjor për miratimin e lejes së ndërtimit?
Cilat subjekte apo kompani i kanë hartuar këto studime dhe kush i ka miratuar ato?
A ka pasur devijime nga projekti gjatë fazës së zbatimit nga kompania ndërtuese, apo kemi të bëjmë me gabime në projektim dhe dimensionim strukturor?
A japin sot institucionet përgjegjëse garanci teknike dhe ligjore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre objekteve?
Partia Demokratike kërkon pezullimin e menjëhershëm të punimeve në atë zonë deri në përfundimin e një ekspertize të plotë, të pavarur dhe të detajuar tekniko-inxhinierike.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje institucioneve ligjzbatuese, si KLSH dhe SPAK, të ndërhyjnë menjëherë dhe të mos presin derisa ajo që sot paraqitet si shkelje teknike dhe institucionale të shndërrohet nesër në një fatkeqësi me pasoja të rënda.
‘Durrës Marina’, nga një aferë korruptive ku u përvetësua prona publike, është kthyer në një rrezik serioz për jetën e familjeve dhe qytetarëve që kanë investuar në atë projekt.
Këto fakte dhe konstatime janë përtej debatit politik.
Ato janë kambanë alarmi për sigurinë e jetës dhe pronës.
Ato janë kujtesë se, ndërsa qytetarët punojnë dhe kontribuojnë, qeveria vazhdon të shpërdorojë interesin publik dhe të mashtrojë shqiptarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb