Vetëm tre ditë përpara sfidës vendimtare ndaj Pogradecit në “play out”, Teuta ka vijuar me intensitet të lartë përgatitjet në kompleksin stërvitor. Nën drejtimin e trajnerit Hodo, skuadra durrsake ka zhvilluar një tjetër seancë të plotë, ku është vënë re përqendrimi maksimal i futbollistëve. Fillimisht ekipi ka punuar në aspektin atletik me përgatitësin fizik Mark Dodaj, teksa më pas stërvitja ka vijuar me ushtrime me topin dhe prova taktike për duelin ndaj Pogradecit.
Nga ajo që është parë në fushë, grupi duket në gjendje optimale dhe ky është një sinjal pozitiv për stafin teknik. Aktualisht nuk ka mungesa për shkak dëmtimi apo pezullimi, duke i dhënë mundësi trajnerit Hodo të ketë në dispozicion të gjithë organikën.
Në kampin durrsak ndihet qartë pesha e këtij takimi, pasi bëhet fjalë për një duel që mund të vendosë fatin e sezonit. Futbollistët kanë treguar përkushtim maksimal gjatë përgatitjeve dhe besimi për një rezultat pozitiv është i madh. Teuta synon të tregojë karakter dhe të rikthejë shpirtin e garës në një nga momentet më të rëndësishme të sezonit. Në klub besohet se skuadra ka eksperiencën dhe cilësinë e duhur për ta kaluar me sukses këtë sfidë.
Hyrje falas
Drejtuesit e klubit durrsak kanë marrë edhe një vendim të rëndësishëm për tifozët. Pjesa ballore e stadiumit do të jetë falas për të gjithë mbështetësit durrsakë, në mënyrë që skuadra të ketë sa më shumë përkrahje nga tribunat.
Në Durrës ka nisur të ndihet atmosfera e ndeshjes dhe pritet një numër i madh tifozësh në stadium. Për futbollistët, mbështetja e publikut konsiderohet një shtysë shumë e rëndësishme morale në një sfi dë ku presioni është maksimal dhe çdo detaj mund të bëjë diferencën. Teuta e konsideron këtë duel si një “fi nale” të vërtetë dhe objektivi mbetet vetëm një: sigurimi i mbijetesës në elitë.
