Një zjarr masiv pyjor që ka përfshirë prej gati një jave provincën Guadalajara të Spanjës, ka shkrumbuar rreth 32 mijë hektarë tokë, duke u renditur ndër zjarret më të mëdha të regjistruara në vend, gjatë viteve të fundit.
Sipas ekipeve të emergjencës, zjarri, i cili ndodhet në verilindje të Madridit, mund të vihet nën kontroll në ditët e ardhshme, megjithëse priten erëra më të forta.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez dhe presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, zhvilluan një takim me drejtuesit e operacioneve të emergjencës për të diskutuar situatën.
Autoritetet thanë se përmirësimi i situatës ka bërë të mundur kthimin në banesa të banorëve të pesë zonave që ishin evakuuar më herët.
Gjithashtu, pritet që edhe banorët e La Mierla, vendi ku nisi zjarri rreth 70 kilometra në verilindje të Madridit, të mund të rikthehen së shpejti në shtëpitë e tyre.
Që nga shpërthimi i zjarrit të enjten e kaluar, janë evakuuar 34 komunitete dhe rreth 1 200 persona janë dërguar në zona të sigurta.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga punimet bujqësore.
Me rreth 32 mijë hektarë të djegura – një sipërfaqe e barabartë me rreth 45 mijë fusha futbolli – ky është zjarri i dytë më i madh në Spanjë që prej vitit 1968, kur qeveria nisi regjistrimin zyrtar të këtyre ngjarjeve.
