Irani ka shtuar praninë ushtarake në Ngushticën strategjike të Hormuzit, duke dislokuar nëndetëse të vogla të projektuara posaçërisht për operime në ujërat e cekëta të zonës, ndërsa tensionet me SHBA vijojnë të përshkallëzohen.

Sipas mediave iraniane, si dhe raportimeve të Bloomberg dhe Reuters, lëvizja konsiderohet pjesë e strategjisë së Teheranit për të forcuar kontrollin mbi korridorin detar ku kalon një pjesë e madhe e tregtisë globale të naftës dhe gazit.

Komandanti i marinës iraniane, Shahram Irani, deklaroi se në zonë janë vendosur nëndetëse të lehta, të cilat i përshkroi si “rojtarë të padukshëm” të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas analistit amerikan të mbrojtjes Tom Shugart, mini-nëndetëset iraniane të klasës Ghadir-class submarine mund të përbëjnë një kërcënim të kufizuar për anijet tregtare dhe potencialisht të përdoren për vendosjen e minave detare, por nuk konsiderohen një sfidë serioze për flotën ushtarake amerikane.

Ai paralajmëroi se nëndetëset dizel-elektrike iraniane kanë autonomi të kufizuar dhe detyrohen të dalin periodikisht në sipërfaqe për të rimbushur bateritë, duke u bërë më të ekspozuara ndaj radarëve dhe sistemeve të mbikëqyrjes.

“Koha e operimit të tyre do të ishte e kufizuar, ndoshta vetëm për disa ditë. Në fund do të duhet të përdorin snorkel-in, çka i bën më të cenueshme ndaj zbulimit dhe shkatërrimit”, deklaroi Shugart.

Zhvillimi vjen në një moment kritik për Lindjen e Mesme, ku lundrimi në Ngushticën e Hormuzit është bërë më i rrezikshëm për shkak të aktivitetit ushtarak, bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe raportimeve për sulme ndaj anijeve në zonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb