Donald Trump është rikthyer me fjalë të reja të ashpra kundër Iranit , duke folur për një “disfatë ushtarake” të Teheranit dhe duke sugjeruar se operacionet amerikane mund të vazhdojnë.

Në një postim të gjatë në Truth Social, presidenti amerikan argumentoi se Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në fazën e tyre më të fortë, ndërsa iu përgjigj raporteve të Presidentit Kinez Xi Jinping për një “Amerikë në rënie”.

Trump tha se Xi kishte të drejtë kur foli për rënien e SHBA-së, por siç tha ai kjo kishte të bënte ekskluzivisht me periudhën e administratës së Joe Biden.

Në të njëjtin postim, Trump përfshiu midis “arritjeve” të administratës së tij atë që e quajti “disfatë ushtarake të Iranit “, duke shtuar frazën “to be continued!” (“të vazhdojë!”).

Raporti konsiderohet si një mesazh indirekt për Teheranin se Uashingtoni po e mban në diskutim mundësinë e një përshkallëzimi të ri ushtarak, pavarësisht kontakteve të vazhdueshme për një armëpushim dhe një marrëveshje për uljen e tensioneve.

Deklaratat vijnë në një kohë kur bisedimet SHBA-Iran mbeten në një bllokim, me të dyja palët që nuk pajtohen për programin bërthamor të Teheranit, sanksionet dhe statusin e Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti amerikan pohoi gjithashtu se SHBA-të tani janë “vendi më i nxehtë në botë”, duke përmendur performancën e ekonomisë amerikane, nivelet e larta të investimeve dhe Wall Street-in.

Në të njëjtën kohë, ai sulmoi përsëri administratën Biden, duke folur për “kufij të hapur”, krim të lartë, marrëveshje tregtare “katastrofike” dhe politika DEI.

“Dy vjet më parë ne ishim me të vërtetë një vend në rënie. Për këtë pajtohem plotësisht me Presidentin Xi”, shkroi ai në mënyrë karakteristike.

“Por tani Shtetet e Bashkuara janë vendi më i nxehtë kudo në botë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb