Që nga rikthimi në pushtet në gusht të vitit 2021, autoritetet e Taliban kanë miratuar një sërë rregullash të reja që kufizojnë ndjeshëm të drejtat e grave dhe vajzave në Afghanistan. Së fundmi, vëmendja është përqendruar te një rregullore e re prej 31 faqesh e quajtur “Parimet e Divorcit midis Bashkëshortëve”, e cila përcakton një sërë dispozitash që lidhen me martesën, divorcin dhe marrëdhëniet familjare. Dokumenti përfshin rregulla për martesat e hershme, kujdestarinë familjare dhe konceptin e “virgjërisë”, duke ndezur debate të forta për natyrën e ligjeve të reja.

Sipas raportimeve, rregullorja trajton edhe çështje të tilla si “khiyar al-bulugh”, që lejon një individ të kërkojë anulimin e martesës së lidhur gjatë fëmijërisë pasi të arrijë pubertetin, por vetëm përmes vendimeve gjyqësore. Në disa raste, prindërit dhe kujdestarët kanë rol vendimtar në martesat e të miturve, ndërsa gjykatat mund të ndërhyjnë vetëm në rrethana të caktuara, përfshirë abuzimin apo paaftësinë e kujdestarëve. Rregullorja përmban gjithashtu dispozita që interpretojnë “heshtjen e vajzës së virgjër” si miratim për martesë, një pikë që ka ngjallur kritika të forta nga organizatat ndërkombëtare.

Në tekst përfshihen edhe rregulla për mungesën e bashkëshortëve, çështjet e apostazisë, pretendimet për tradhti bashkëshortore dhe konceptet tradicionale islame që i japin gjykatës kompetenca të gjera në mosmarrëveshjet familjare.

Raportimet theksojnë se gjyqtarët mund të urdhërojnë masa të ndryshme ndëshkuese ose detyruese në raste të caktuara, ndërsa kritikohet mungesa e mbrojtjes efektive për gratë ndaj dhunës në familje. Më herët, janë raportuar edhe ndryshime në kodin penal që lidhen me dhunën në familje, të cilat sipas kritikëve nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme dhe krijojnë barriera për denoncimin e rasteve të abuzimit. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim të vazhdueshëm për situatën e grave në Afganistan, duke e cilësuar si një regres serioz në të drejtat dhe liritë themelore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: