Presidenti i Zambias Hakainde Hichilema, pritet të betohet të martën për një mandat të dytë pesëvjeçar, pas një zgjedhjeje të kontestuar dhe arrestimit të kundërshtarit të tij kryesor, Brian Mundubile, nën akuzën për tradhti.
Sipas rezultateve zyrtare, Hichilema fitoi zgjedhjet e 13 gushtit me 60% të votave, ndërsa Mundubile mori 38%. Ky i fundit pretendoi se rezultati ishte manipuluar, por nuk mundi ta kundërshtonte ligjërisht procesin, pasi gjykatat u mbyllën javën e kaluar, në ditën e fundit kur mund të depozitohej një ankim.
Vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por ngritën shqetësime për procesin e numërimit. Vëzhguesit e Bashkimit Evropian vunë në dukje se në shumë qendra të numërimit rezultatet nuk u regjistruan menjëherë në dokumentet zyrtare dhe se kishte mangësi në verifikimin e të dhënave digjitale me ato në letër.
Një ditë pas zgjedhjeve, forcat e sigurisë bastisën një pronë në kryeqytetin Lusaka, të lidhur me Mundubilen. Gjatë operacionit u vra një ish-ministër dhe u arrestuan disa figura të opozitës.
Autoritetet akuzuan opozitën se po planifikonte një kryengritje të armatosur, pretendim që kundërshtarët e qeverisë e mohuan. Mundubile dhe kandidati i tij për nënpresident, Makebi Zulu, u fshehën për disa ditë, përpara se të arrestoheshin nga policia javën e kaluar dhe të akuzoheshin gjatë fundjavës.
Hichilema, 64 vjeç, mori detyrën në vitin 2021, kur Zambia përballej me një krizë të rëndë ekonomike. Vendi kishte shpallur mospagimin e borxhit ndërkombëtar dhe inflacioni vjetor ishte mbi 24%.
Gjatë mandatit të tij, ish-biznesmeni negocioi ristrukturimin e borxhit dhe përmirësoi marrëdhëniet me kreditorët e huaj. Inflacioni është ulur, por rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës vijojnë të rëndojnë mbi shumë qytetarë.
Në ceremoninë e inaugurimit në Stadiumin Kombëtar “National Heroes” në Lusaka pritet të marrin pjesë disa liderë afrikanë, mes tyre presidentët e Kenias, Botsvanës, Zimbabves, Namibisë dhe Tanzanisë. Hichilema do të betohet përkrah zëvendëspresidentes së tij, Mutale Nalumango.
