Te Tirana kanë nisur lëvizjet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, ndërsa drejtuesit bardheblu po punojnë paralelisht në disa drejtime. Prioriteti absolut në këto momente mbetet zgjidhja e çështjes së trajnerit, pasi fillimisht duhet të përcaktohet e ardhmja e Orges Shehit dhe më pas të vazhdohet me ndërtimin e ekipit.
Tekniku bardheblu nuk e ka vendosur ende përfundimisht të ardhmen e tij, ndërsa interesimi për të nuk mungon. Përveç disa alternativave në Superiore, Shehi ka edhe oferta nga klubet e Kosovës, çka e bën situatën më të komplikuar për drejtuesit e Tiranës. Megjithatë, bardheblutë synojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët me trajnerin për të vijuar projektin edhe sezonin e ardhshëm. Kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e pankinës, pasi nga vendimi për Shehin do të varen edhe lëvizjet e tjera në merkato.
AFRIMET – Në klub ekziston bindja se skuadra ka nevojë për ndërhyrje të rëndësishme në disa reparte, sidomos pas problemeve të shfaqura gjatë sezonit të fundit. Një nga repartet ku do të ketë më shumë ndryshime është mbrojtja. Tirana kërkon të afrojë të paktën dy qendërmbrojtës cilësorë që do të rrisin konkurrencën dhe stabilitetin në prapavijë. Në listën e dëshirave të bardhebluve janë Halili dhe Kresiç, dy futbollistë që njihen mirë nga ambienti bardheblu dhe që mund të rikthehen sërish në kryeqytet.
Për drejtuesit, rikthimi i tyre shihet si një mundësi ideale për të sjellë eksperiencë dhe siguri në repartin defensiv. Bisedimet pritet të intensifikohen sapo të ketë qartësi për pankinën dhe buxhetin e klubit. Një tjetër emër që po monitorohet me kujdes është Marsel Ismajlgeci. Mbrojtësi i majtë, që u transferua në Bosnje, mbetet një opsion konkret për Tiranën. Bardheblutë po shqyrtojnë mundësinë që ta rikthejnë në formë huazimi nga skuadra boshnjake, duke qenë se lojtari vazhdon të ruajë lidhje të mira me klubin.
Por merkatoja nuk do të ndalet vetëm te mbrojtja. Tirana synon të ndërhyjë edhe në repartin ofensiv, aty ku kërkohet një qendërsulmues “race”, i aftë të marrë përgjegjësitë e golit dhe të bëjë diferencën në ndeshjet vendimtare. Përveç titullarit, drejtuesit po mendojnë edhe për afrimin e një sulmuesi tjetër alternativ, në mënyrë që skuadra të ketë më shumë zgjidhje gjatë sezonit. Po ashtu, në planet e bardhebluve është edhe afrimi i një mesfushori shkatërrues.
Stafi teknik e konsideron të domosdoshëm një futbollist me karakteristika mbrojtëse në mesfushë, që mund të japë ekuilibër dhe forcë fizike përpara mbrojtjes. Në ditët në vijim priten zhvillime të rëndësishme te Tirana. Fillimisht do të zgjidhet çështja e trajnerit dhe më pas do të nisin konkretisht negociatat për afrimet e para. Bardheblutë synojnë të ndërtojnë një skuadër konkurruese dhe të rikthehen protagonistë në sezonin e ardhshëm, pas një edicioni me shumë luhatje dhe zhgënjime.
