Më 17 Maj u nda nga jeta në moshën 93 vjeçare Konti belg, Etienne Davignon, burrë i shquar shteti, siç e vlerësoi këto ditë Mbreti i Belgjikës, Philippe, vizionar, diplomat i lartë, ish Zv.President i Komisionit Europian në vitet 70-80; bashkëpunëtor i ngushtë i ish Presidentit të atij Komisioni, Jacques Delors.
Klasa politike belge dhe ajo europiane po shprehin këto ditë nderimin dhe vlerësimin e tyre për të ndjerin Etienne Davignon dhe ndihmesën e tij të madhe në politikën belg dhe europiane.
Mirëpo nga ana tjetër, vdekja e Davignon shënoi edhe mbylljen e procesit gjyqësor që sapo kishte filluar në Bruksel lidhur me implikimin e autoriteteve të larta dhe policisë sekrete belge në rrëmbimin dhe masakrimin më 17 Janar 1961 të Patrice Lumumba, ish Kryeministrit të parë të Kongos së pavarur dhe ish koloni belge. I ndjeri Etienne Davignon ishte dëshmimtari i vetëm i gjallë i asaj ngjarjeje makabër. Nisur nga mosha e tij, ishte kërkuar përshpejtimi i këtij procesi, natyrisht duke respektuar të gjitha rregullat për një proces të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë. Sidomos në një rast të tillë kur kishim të bënim me një personalitet të shquar të niveleve të larta europiane, edhe pse nuk kishte asnjë lloj imuniteti që të mos ndëshkohej, nëse do të shpallej fajtor.
Pas disa procedurave paraprake gjyqësore, në muajin Mars të këtij viti, gjykata e Brukselit kishte vendosur kalimin e çështjes në ngarkim të tij për gjykim; por i ndjeri kishte bërë rekurs në Gjykatën e Apelit dhe po pritej vendimi i kësaj të fundit. Për pasojë, me vdekjen e Davignonit mbyllet edhe saga e këtij procesi gjyqësor, duke lënë të hapura dhe të pazgjidhura enigmën e rrëmbimit dhe ekzekutimit makabër të heroit kongolez të dekolonializimit.
Historia e këtij krimi shtetëror është shumë rrënqethëse, ajo nuk i bën nder Belgjikës dhe drejtuesve të saj më të lartë të asaj kohe dhe vetë imazhit të saj. Por, si vend demokratik me tradita, klasa politike belge në të gjitha nivelet është distancuar me kohë nga ajo ngjarje makabër, duke ridimensionuar të gjitha marrëdhëniet politike dhe shtetërore me RD të Kongos; po ashtu, duke e ndjekur, edhe pse me vonesa në të gjitha instancat më të larta politike, parlamentare dhe gjyqësore dosjen Lumumba.
Patrice Lumumba ishte militanti dhe lideri më i shquar për pavarësinë e Republikës Demokratike të Kongos, themeluesi i Lëvizjes Kombëtare Kongoleze (MNC) dhe për disa muaj deri në shtator 1960 Kryeministri i parë i vendit i zgjedhur në mënyrë demokratike. Mirëpo ai e pagoi protagonizmin dhe rezistencën e tij të shquar anti-koloniale me jetën e vet, i rrëmbyer, i vrarë dhe i masakruar mizorisht më 17 Janar 1961, pas u torturua në mënyrë çnjerëzore bashkë me dy bashkëpunëtorët e vet të ngushtë, Presidentin e Senatit Joseph Okuito dhe Ministrin e Rinisë, Maurice Mpolo. Sikur të mos mjaftonte me aq, trupi i tij u dogj në acid në prani dhe të dy mercenarëve belgë dhe kongolezë.

Padyshim që vrasja çnjerëzore e ish Kryeministrit të parë 36 vjeçar kongolez është njollë e errët në historinë koloniale belge. Ca më keq akoma, pas eliminimit të tij fizik, u bë gjithçka që kjo ngjarje të lihej në heshtje, në harresë dhe për ta diabolizuar figurën më të madhe dhe më të shquar të Kongos dhe gjithë Afrikës së viteve 60. Deri vonë ky krim nuk ishte gjykuar, derisa gjërat filluan të ndryshonin në 25 vitet e fundit, falë interesimit dhe përpjekjeve të parreshtura të fëmijve të heroit të shquar të dekolonializmit kongolez.
Duke u kthyer prapa në kohë, në Janar 1960 mbasi Patrice Lumumba fitoi zgjedhjet parlamentare në Kongo shkaktoi zhgënjim të madh te elitat e bardha. Ai u bë kryeministri i parë i Republikës së pavarur të Kongos. Mirëpo, atëhere kur pritej që ai t‘u bindej zotërinjve kolonialistë, Lumumba zgjodhi konfrontimin dhe rezistencën ndaj tyre. Incidenti i parë i rëndë ndodhi gjatë një akti festiv, ku ishte i pranishëm dhe Mbreti belg Baudouin, ku Lumumba bëri akuza për skllavëri, vrasje dhe shfrytëzim të vendit të tij; gjithashtu ai u shpreh kundër federalizimit të Kongos, i cili synonte shfrytëzimin e pasurive të tij nga Belgjika.
Duke reaguar ndaj këtyre ngjarjeve, qeveria e Belgjikës njohu papritur pavarësinë e Kongos, çka e zhyti vendin në kaos. Kudo shpërthyen rebelime, sulme agresive; ndërkohë, Provinca Katanga, e mbështetur nga Belgjika dhe e pasur me diamante, bakër, plumb dhe zink shpalli ndarjen nga Kongo. Lumumba i zemëruar tej mase kërkoi ndihmën e Perëndimit, por ky i fundit e la në baltë nga frika e përhapjes së frymës së tij majtiste kudo në Afrikë. Atëhere Lumumba u detyrua të kërkonte ndihmën e Bashkimit Sovjetik, çka përshpejtoi dënimin e tij me vdekje nga frika e zgjerimit të ndikimit sovjetik atje.
Pak më vonë, Lumumba u shkarkua nga posti i Kryeministrit dhe në Tetor 1960, ai u arrestua nga trupat rebele të drejtuara nga ish shefi i shtatmadhorisë kongoleze dhe diktatori i ardhshëm Mobutu Sese Seko. Ndërkohë, në këtë aksion vrastar ishin të pranishëm dhe muarrë pjesë dhe njësi të elitës ushtarake belge.
Sipas pohimeve dhe dokumentave të asaj kohe, mbas shumë peripecive dhe transferimeve të tij në kushte burgimi, më 17 Janar 1961 Lumumba u vra në Élisabethville/Katanga në jug të vendit, sipas një plani të shërbimit të fshehtë belg, me mbështetjen, sipas disa burimeve edhe të CIA-s dhe drejtorit të saj, Dulles.
Pas shumë zvarritjeve dhe hezitimeve, më në fund, në vitin 2001, një Komision Parlamentar belg i ndihmuar edhe nga 4 historianë belgë “pranoi dhe nxorri përgjegjësinë morale të disa anëtarëve të qeverisë së saj dhe aktorëve të tjerë në vrasjen çnjerëzore të Patrik Lumumbës“. Këtë fakt e konfirmoi në shkurt 2002 edhe Dhoma e Deputetëve belgë. Por, pa konkluduar dot për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme edhe mbi përgjegjësinë penale të zyrtarëve shtetërorë belgë të implikuar në ato ngjarje kriminale.
Në vitet 1960 – 1961, Etienne Davignon ishte diplomat i ri në Ambasadën belge në Kongo. Ai ishte pjestar i një ekipi teknik që ishte dërguar në Elisabethvile ( sot Lubumbashi) pikërisht në atë vend dhe në atë kohë kur u rrëmbye dhe më vonë u ekzekutua Lumumba. Megjithë moshën e tij të re, mendohet se i ndjeri Davignon ka patur ndikim të çuditshëm në çështjet e Kongos, falë edhe prindërve të tij të famshëm.
Më tej, në muajin Janar 1960, Davignon përfaqësoi Ministrinë e Jashtme të Belgjikës në negociatat e zhvilluara në Bruksel, në praninë edhe të Kryeministrit Lumumba, ku u nënshkrua Marrëveshja që miratoi Pavarësinë e Kongos, e cila u shpall më 30 Qershor 1960.
Sipas Prokurorisë belge, i ndjeri Etienne Davignon kishte dijeni mbi viktimizimin e planifikuar të Lumumbës. Ndaj ai do të dilte përpara gjykatës federale belge i akuzuar për “ trajtim të kundraligjshëm të një robi lufte, shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe për “trajtim jo human dhe çnjerëzor“.
Ndërkohë, gjatë asaj periudhe, nga kqyrja që iu bë kufomës më vonë, doli se asaj i mungonte një dhëmb i florinjtë, të cilin e tregoi me krenari si trofe para kamerave në një dokumentar të shfaqur një prej zyrtarëve belgë i pranishëm në procedurat e autopsisë dhe kqyrjes së kufomës.
Menjëherë pas kësaj, dhëmbi u konfiskua nga autoritetet belge dhe në vitin 2022, ish Kryeministri belg Alexander de Croo ia ktheu fëmijve të Lumumbës, duke shprehur edhe ndjesën përkatëse.
Megjithatë, vajza e tij, Juliana e konsideroi shumë pak këtë gjest. Siç ka pohuar në një intervistë të saj te e përditshmja belge “Le soir“, ajo nuk kërkonte ndjesë, por donte të dinte të gjithë të vërtetën mbi vrasjen barbare të babait të saj.
Në vijim, në vitin 2011, fëmijtë e Lumumbës bënë kallzim penal për “shkelje të ligjeve të luftës“ por asaj nuk ia vuri veshin njeri. Ndër 10 zyrtarët e asaj kohe të implikuar në atë çështje, rezultoi se vetëm Etienne Davignon ishtë gjallë.
Do të duheshin edhe 20 vite të tjera deri më 17 Qershor 2022, kur pas Mbretit Philipe, edhe Kryeministri belg Aleksander De Croo, në emër të qeverisë u kërkoi ndjesë publike fëmijve të Kryeministrit të vrarë.
Në këto kushte dhe rrethana të reja, organizatat e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht “Kujtesa Kolektive Koloniale“ dhe Fondacioni i Luftës kundër Diskriminimit i kanë bërë thirje drejtësisë belge që të tregohej në lartësinë e barrës dhe përgjegjësisë historike të këtij gjyqi të madh të historisë për Belgjikën.
Tri vite më vonë, më 17 Qershor 2025, Prokuroria Federale belge njoftoi se në kuadrin e hetimeve për vrasjen e PatriceLumumbës kishte marrë nën akuzë ish diplomatin belg të asaj kohe, Etienne Davignon. Në fillim të muajit korrik 2025 u njoftua se do të fillonte procesi gjyqësor kundër tij, çka ndodhi në muajin Mars të këtij viti. Ky ishte një sukses edhe pse tejet i vonuar kryesisht i vajzës së tij, Juliana Lumumba, e cila për 6 dekada ka bërë përpjekje të pandërprera për hetimin dhe ndëshkimin e urdhëruesve dhe vrasjes barbare të Lumumbës.
